LSI: Në 2011 Rama u kërkonte votat, sot na qan hallet në video-konferencë

LSI ka reaguar përmes deputetit Përparim Spahiu, pas videokonferencës së kryeministrit me minatorët.

Spahiu ka hedhur akuza mbi Ramën, duke thënë se veç gënjeshtrave, asgjë nuk ka bërë për punonjësit e nëntokës. Për të, statusi i minatorit mbetet “hallexhi” i dënuar me vdekje.

“Dy ditë më parë, një 37-vjeçar humbi jetën tragjikisht në galeritë e Bulqizës. Pak ditë më parë, një tjetër u vra aksidentalisht në atë të Klosit. 6 minatorë janë vrarë në 6 muajt e fundit në galeritë e këtyre zonave.

Këto fatkeqësi bëhen akoma dhe më të rënda, kur lënë pas familje pa asnjë mbështetje financiare, pa asnjë të ardhme, pa asnjë shpresë. Kur fëmijë të mbetur jetimë nga humbja e prindit, rrezikojnë edhe ndihmën ekonomike, pasi babai mund t’ju ketë lënë një shtëpi apo dhe makinë.

Situatën e tyre mund ta lehtësonte vetëm statusi i minatorit, duke iu siguruar një minimum jetik këtyre njerëzve të punës më të vështirë dhe më të rrezikshme për jetën, që kanë dhënë kaq shumë për ekonominë e këtij vendi.

Kanë kaluar rreth 3 muaj, kjo qeveri, ky kryeministër ka rrëzuar Statusin e Minatorëve. Mes votuesve që ngritën dorën kundër, ishin mjaft deputetë të zgjedhur nga minatorë në të gjithë Shqipërinë.

Mes tyre është edhe gënjeshtari më i madh i minatorëve të Përrenjasit, kryetari i grupit parlamentar të Rilindjes. Qeveria nuk dha asnjë argument bindës se përse e rrëzoi këtë status, i depozituar në Kuvend që në mars 2017 dhe i ngjashëm me atë të naftëtarit.

Gënjeu dhe vazhdon të gënjejë që shumë shpejt do të dorëzojë propozim për minatorët. Por përveç zvarritjes disa mujore, asgjë nuk ka sjellë deri tani.

Pushteti vret për statusin e tij të ndenjes në karrigen e pushtetit. Ndërsa statusi i minatorit mbetet “hallexhi” i dënuar me vdekje.

Kryeministri i sotëm, dikur kryetar opozite në 2011, përbetohej për minatorët. Ai u kërkonte votën banorëve të Bulqizës me premtimin që minatorët do të merrnin atë që u takon.

Madje bënte thirrje që minatorët të bëheshin bashkë kundër sundimit të së keqes. E pamë edhe sot ku në vend që të shkonte te galeria ku minatori humbi jetën, gjë që asnjëri se ka bërë, të kërkonte nga organet përkatëse, zbardhjen e ngjarjes e të shikonte me sytë e tij kushtet skandaloze ku minatorët punojnë, na shfaqet në një video konferencë të shëmtuar, a thua se ai dhe qeveria e tij akoma nuk e dinë se çfarë minatorët kërkojnë.

Spahiu tha se LSI do të jenë në mbështetje të kësaj shtrese, më e vuajtura e shoqërisë.

Minatorët i pamë dhe do të vazhdojmë ti shohim në protesta masive përpara Kryeministrisë, deri në miratimin e statusit. Që të gjitha qeveritë ia kanë borxh. Valën e protestave këtë vit e nisën minatorët, e vazhduan naftëtarët, kuksianët e më pas biznesi i vogël.

LSI ashtu siç ka mbështetur çdo iniciativë që ka lidhje me mirëqenien e çdo shqiptari, absolutisht do të mbështesë dhe përkrahë shtresën më të vuajtur të shoqërisë, por që i ka dhënë më shumë se çdo kush tjetër, minatorët”

 

.