Merkel del në krah të SHBA-së, Britanisë dhe Francës: Duhet ndalur regjimi “kimik” i Asad

Pavarësisht se Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur qartë, se Gjermania nuk do të marrë pjesë në asnjë lloj ndërhyrje ushtarake në Siri, ajo ka mbështetur sot sulmet e aleatëve të saj në NATO, SHBA-së, Britanisë dhe Francës kundër përdorimit të armëve kimike ndaj civilëve.

Në një deklaratë pas këtij operacioni, Merkel thotë se Rusia ka penguar një hetim të pavarur të asaj që ndodhi me armët kimike, përmes bllokadës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Duke pasur parasysh këtë, aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë kryen sulme ajrore kundër objekteve ushtarake të regjimit sirian sonte. Kjo qasje synon të kufizojë aftësinë e regjimit për të përdorur armë kimike dhe për të parandaluar atë nga shkelje të mëtejshme të Konventës për Armët Kimike. Ne mbështesim që aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë marrë përgjegjësinë në këtë mënyrë. Operacioni ushtarak ishte i nevojshëm dhe i përshtatshëm për të ruajtur efektivitetin e ndalimit ndërkombëtar për përdorimin e armëve kimike dhe për të paralajmëruar regjimin sirian për shkelje të mëtejshme”, shprehet Merkel në deklaratën e saj.

Ajo ka theksuar gjithashtu, se 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të gjithë renditen kundër atyre që shkelin Konventën për Armët Kimike dhe “Gjermania do të mbështesë me vendosmëri të gjithë veprimtarinë diplomatike në këtë drejtim”.