Minatori nuk ia përton Ramës: Preje pak timonin majtas, se shumë djathtas po ecën

Kryeministri Edi Rama, me ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj në krah, ka zhvilluar gjatë mesditës një interpelancë online, me themeluesit e Sindikatës së Minatorëve “Janar 1991”, sot të dalë në pension, për ecurinë e projektit të statusit të minatorit.

Sakaq, një minator nga Mirdita, mes batutave, pati një rekomandim për Ramën: “Kryeministër, preje pak majtas timonin, se shumë djathtas po ec. Jemi njerëz në nevojë. Preje edhe pak majtas për njerëzit në nevojë”.

Por në kundërpërgjigje, Rama tha se i gjithë përceptimi për rritjen e taksave është një keqkuptim.

“Ka keqkuptim të madh sa i takon taksave. Po marr ilaçet, sot ka ndryshim të madh mes aksesit në medikamente të popullatës, kemi hequr taksën mbi ilaçet, kemi përfshirë në listën e rimbursimeve 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve.

Kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme. Ka ende për të bërë, por të gjitha këto para të kursyera njerëzve, janë para që i paguan buxheti i shtetit.

Përjashto taksën mbi më të pasurit, taksën e karburantit, unë ju sfidoj të më tregoni një taksë tjetër që ka rritur qeveria.

Kemi ulur taksat për 97% të punonjësve në shtet apo privat, që deri dje paguanin 10%. Kemi bërë zero taksën e biznesit të vogël, nga 1-5 milion.

Nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin dritat, ujin, kostot e shërbimeve dhe sot i paguajnë, këto nuk janë taksa.

Më vjen keq që ngatërrohet politika jonë e taksave, me tarifat e pushtetit vendor, është autonomi e tyre”.