Negociatat Shqipëri-BE/ Pse do pranohet Ballkani Perëndimor? Kreu i KE zbulon arsyen, pas saj fshihet frika e …

“Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të shmangur rrezikun e një lufte të re atje”. Kështu ka deklaruar kreu i Komisionit Europian, Juncker, sot, pak orë para se KE të dorëzojë raportin për vendin tonë, që sugjeron hapjen e negociatave me BE-në.

Përgjigja e Juncker vjen pas rezistencës nga ana e Francës dhe shteteve të tjera që kanë qenë skeptike ndaj procesit të zgjerimit.

Reuters bën me dije se Komisioni Europian po nxit që BE të zgjerohet në rajon, vend që gjithnjë është cilësuar si një zonë e nxehtë, duke pasur parasysh luftërat etnike të 90 në ish-Jugosllavi.

“Nëse nuk u hapim vendeve në atë rajon shumë të komplikuar dhe tragjik, dhe nëse nuk hapim një perspektivë evropiane për ta, do të shohim kthimin e luftës në atë zonë siç e pamë në vitet 1990”, tha kreu i komisionit Jean- Claude Juncker në një deklaratë të bërë në PE.

“Nuk dua të shoh luftën në Ballkan dhe kështu ne duhet t’i hapim rrugë atyre,” tha ai.

Por presidenti francez Emmanuel Macron, duke folur gjithashtu në Strasburg të martën, tha se besonte se BE-ja duhej të përmirësonte qeverisjen e saj të brendshme së pari para se të hapte anëtarë të rinj.

Sot pritet që Komisioni Europian do të lëshojë raportin e fundit vjetor mbi ecurinë e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në bllok.

Polonia, Italia dhe Austria janë midis vendeve të tjera të BE-së në favor të rritjes së përpjekjeve për të hapur bllokun në rajon, i cili ka parë rritje të ndikimit rus dhe kinez.