Paloka: S’kanë për t’ia hedhur kollaj, as për Ramën s’do ketë qetësi!

Edi Paloka ka kërcënuar haptazi kryeministrin Rama, duke i thënë se nuk do të ketë qetësi për të. Teksa komenton mbledhjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deputeti demokrat thotë se “nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën, deri në lirimin e kuksianëve që mbahen në burg”.

Në një prononcim për mediat, Paloka komentoi fjalën e ministrit Xhafaj, duke e cilësuar si paturpësi që të flasë për luftën kundër krimit.

“Sot Xhafa ka dalë me paturpësi të flasë për luftën kundër krimit, është gjë e mirë që pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria del e thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do i godasë.

Pas pesë vjetësh. Ky është një film që kemi parë që 5 vjet më parë, ku u premtua se brenda 300 ditëve, do të goditej krimi, po ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një Ministër i Brendshëm që ishte në krye të trafikut të drogës, dhe që sot në vend që të jetë në burg, ai bredh i lirë e po bëhet gati të vijë të na mbajë fjalime në Parlament.

Sot Xhafaj duhet të japë të tjera përgjigje. Nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën, derisa qytetari i fundit i Kukësit, mbahet pa të drejtë në burg. E pranoi me gojën e tij që ishte fajtori. Por ndërkohë të mbajtur peng e të grabitur në burg, janë qytetarët e Kukësit”, përfundoi Paloka.