“Paratë në futboll, njësoj si lumturia e miliarderit”

Duket si një shprehje e thënë nga një filozof i kohëve modern, por në fakt këtë e ka thënë trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, që beson se ekipi i tij mund ta sfidojë Manchester City për titullin e Premier League, sezonin e ardhshëm.

Pochettino pranon se “Spurs” nuk mund t’i përkulin “muskujt” e tyre financiarë në të njëjtën mënyrë si City, ose United, megjithatë beson se një qasje “e guximshme”, së bashku me gatishmërinë për të punuar më shumë se ekipet e tjera në Angli, është e mjaftueshme për t’i bërë ata pretendentë seriozë.

“Nuk është e pamundur t’i mundim ata, duhet ta fillojmë më mirë sezonin, por, natyrisht, është e vështirë, – tha Pochettino. – Nuk është e gjitha e lidhur me paratë në futboll, por ky faktor ndihmon shumë.

Kjo është si puna e lumturisë. Nuk është e padiskutueshme që, nëse jeni miliarder, atëherë do të jeni edhe të lumtur, por sigurisht që ndihmon shumë.

Ose keni një brez spontan, si Barcelona me Xavi, Andres Iniesta, Lionel Messi, Gerard Pique, Cesc Fabregas, Carles Puyol, ose si gjenerata e vitit 1992 te Manchester United. Eshtë një gjeneratë spontane, që e bën ekipin tuaj të pabesueshëm”.