Peripecia e talentit 6-vjeçar rus për të marrë pjesë në Botërorin e Shahut në Durrës

Një histori njerëzore, plot sakrifica, por me siguri që ia vlen. Mikhail Gurishov, i njohur si Misha, do të jetë një nga protagonistët absolutë të Kampionatit Botëror të Shahut për shkollat që fillon nesër në Durrës.

Vogëlushi 6-vjeçar rus është një nga pjesëmarrësit më të rinj në moshë në këtë aktivitet dhe për të mbërritur në Shqipëri, ka kaluar mes shumë peripecish.

Trajneri i tij, 26-vjeçari Roman Artamonov, pikasi talentin e vogëlushit  që kur ky i fundit kishte qenë në moshën 4-vjeçare, pasi shfaqte aftësi të pazakonta, duke fituar shumë shpejt çmime në turne të ndryshëm në të gjithë Rusinë.

Megjithatë, tani vogëlushi do të matë forcën e tij në një turne ndërkombëtar si ai që do të zhvillohet nga data 20, deri më datë 29 në Durrës dhe për të mbërritur deri në vendin tonë nuk ka qenë e lehtë.

Trajneri Artamonov insistoi për të bërë këtë udhëtim të gjatë, edhe pse duhej gjetur një shumë prej 3 mijë dollarësh për të siguruar udhëtimin dhe akomodimin.

Ai fillimisht shiti edhe celularin e tij, ndërsa organizoi një turne bamirësie, për mbledhje fondesh në qytetin e Perm, ky jetojnë të dy. Më pas, trajneri iu kthye për ndihmë të apasionuarve të thjeshtë të shahut duke kërkuar ndihmë në rrjetet sociale.

Brenda dy ditësh, shuma u sigurua, pasi donacionet erdhën nga të gjitha anët, edhe nga familjarët e fëmijëve që Misha kishte mundur në turne gjatë viteve të fundit.

Misha ka mbërritur dje në Shqipëri, për të marrë pjesë në këtë aktivitet ku do të ketë përballë edhe 7 apo 8 vjeçarë. Por sipas trajnerit të tij, për 6-vjeçarin nuk do të jetë problem, pasi në Rusi, ka fituar disa turne duke pasur përballë edhe shahistë 9-vjeçarë.