Plaku shqiptar nga Turqia viziton Kosovën pas 82 vjetësh (Video)

Ishte vetëm dy vjet e gjysmë kur familja e tij u detyrua të shpërngulet nga Kosova për në Turqi. Është ky 85 vjeçari, Kadir Ornek, nga fshati Orllan i Komunës së Podujevës, i cili pas 82 viteve jetesë në Turqi, për herë të parë është pajisur me dokumente të identifikimit, vetëm për ta vizituar vendlindjen e tij, Kosovën.

Pavarësisht se është i kënaqur me kushtet që kanë në Turqi, ai akoma ndjen mall për vendin e tij.Ornek, i cili qe 48 vite jeton në mesin e 800 mijë shqiptarëve në Bursë, së bashku me djalin Qazimin janë mysafirë në konakun e Bebushëve në Podujevë, tek nipërit e tij, pasi që anëtarët e tjerë të familjes jetojnë në Turqi.

Gjyshi i Kadirit, Mustafa Ornek së bashku me tërë familjen e tij ishte shpërngulur në Turqi në vitin 1929. Familjarisht kishin jetuar në Bafra të Samsonit në Turqi gjatë vitit 1934. Aty kishin jetuar, deri në vitin 1967, kur edhe ishin shpërngulur në Bursa, që njihet si qyteti turk me rreth 70 për qind të banorëve të ardhur nga vendet e Ballkanit.

Ornek, i cili fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, përveç disa fjalëve që i ngatrroheshin me ato turke, jetën e tij në mesin e shqiptarëve të Turqisë dhe traditat e tyre, për të cilat thotë se gjeneratat e reja kanë filluar t’i harrojnë.

Ai fillimisht tregon për KosovaPress a rsyen se përse janë detyruar të shpërngulen në Turqi.

“Kur unë kam qenë 2 vjet e gjysmë, gjyshit tim Mustafën i kanë bërë spiunazh dhe kanë thanë që ai ka pushkë, mandej atë e kanë plaçkit por nuk kanë gjet asgjë… E kanë dërguar në burg, gjashtë muaj a shtatë sa ka nejt, edhe kish pas thanë që nëse është kësmet me dalë prej këtu, edhe nëse nuk vjen gruaja, unë do të shkojë në Turqi…Gjyshi i merr krejt e shkon në Turqi me katër djem…Baba im kishte shkuar në Viti për të punuar. Pas pesë viteve çelet dera e shkon baba në Stamboll e mbetet pa pare me nëntë anëtarë”, rrefën Ornek.