Pse disa politikanë u mbijetojnë skandaleve seksuale e disa jo? Po Trump?

Nga Jen Psaki

Që nga Roy Moore, Harvey Weinstein e deri te Blake Farenthold, viti i shkuar ka qenë si një skandal i gjatë seksual. Por si ka mundësi që skandaleve u ka shpëtuar pa lagur presidenti Trump, i cili ka disa histori jashtë martesore dhe që është kapur në video duke u mburrur për agresion seksual?

Në radhë të parë, është e pamundur të themi nëse Trump do t’i mbijetojë pagesave që thuhet se u ka bërë pornostareve dhe modeleve të Playboy-t.

Por, tani për tani, sa është ende në këmbë, ai ndihmon që të na bëjë të kuptojmë se pse disa politikanë dëmtohen nga skandalet e disa jo. Cilat janë rrethanat që e kthejnë një thashethem në katastrofë karrierash?

Kur ka prova fotografike. Ne jetojmë në një shoqëri vizuale, e cila u skandalizua, por edhe u fiksua, me mesazhet seksuale të ish-kongresmenit Anthony Weiner, mes të cilave kishte edhe foto të organeve gjenitale. Shoqëria u neverit edhe nga fotot më pak fyese të senatorit Franken, që bënte sikur prekte gjoksin e një gruaje me të cilën po punonte. Por një intervistë e gjatë me një pornostare, e cila përshkruan marrëdhënien e saj me presidentin e Amerikës, duket se nuk qenka e njëjta gjë.

Kur akti është ndryshe nga reputacioni. Donald Trump nuk e ka fshehur kurrë mungesën e respektit që ka ndaj grave. Ai ka fyer një konkurrente bukurie sepse kishte shtuar peshë që përpara se të dilte videoja e “Access Hollywood”, si dhe ka thënë gjëra të papërshtatshme për të bijën, Ivankën, që më përpara. Këtë imazh e kishte krijuar që përpara se të dilnin lajmet për lidhjet e tij jashtë-martesore.

Kur përfshihet forca e fëmijëve. Të paktën ka pak pajtueshmëri në politikën moderne, që, kur përfshihet forca, (si në rastin e guvernatorit Eric Greitens nga Misuri), apo të miturit, (politikani nga Alabama, Roy Moore), niveli i tolerancës së publikut bie menjëherë.

Kur përfshihen gënjeshtra. Këtu sikur vrenjtet pak edhe qielli i Trump-it. Siç e di çdo njeri që ka ndjekur lajmet politike që nga vitet 1990, Bill Klinton pothuajse e humbi presidencën vetëm sepse gënjeu para gjykatës. Ishte akuzuar edhe më përpara për tradhti bashkëshortore, që me Xhenifer Flauers, për shembull.

Deri tani, Trump ka këmbëngulur se nuk kishte dijeni që avokati i tij, Michael Cohen, kishte bërë pagesa për të ruajtur heshtjen – një pretendim ky që disa dyshojnë se është i vërtetë. Por edhe nëse e ka ditur, i bie që ai ka gënjyer vetëm para shtypit, jo para gjykatës. Kjo do të ishte shumë ndryshe.

Kur paraja ndryshon duar. Pyesni ish-kandidatin presidencial, Xhon Eduards, se sa rëndësi ka për reputacionin po të shkelësh ligjet e financimit të fushatave zgjedhore. Por kur ka lidhje me një skandal, si “Eduards” në vitin 2008, rëndësia është e madhe. Pse? Sepse jo vetëm që është kundër ligjit, por taksapaguesit dhe ata që kontribuojnë në fushata zgjedhore nuk duan që paratë e tyre t’u jepen grave me të cilat politikanët kanë lidhje intime.

Paratë që i kanë shkuar Stormy Daniels-it nuk dihen nëse vinin nga avokati Michael Cohen, nga xhepi i Donald Trump-it apo nga fushata. Përgjigjja e kësaj mund të ndikojë në faktin se sa shpërqendruese dhe problematike do të jetë ky skandal për Trump-in.

Kur partia të del kundër. Treguesi ndoshta më i nënvlerësuar për ndikimin që ka një skandal seksual, është reagimi i partisë së politikanit fajtor. David Viteri i mbijetoi një skandali seksual pasi emri i tij u shfaq në listën e “D.C Madam” që në vitin 2007, kryesisht sepse partia e tij e toleroi. Në vitin 2011, kur gjithë kryesia e Partisë Demokratike i bëri thirrje Anthony Weiner-it të jepte dorëheqjen, ai e bëri menjëherë, pasi e dinte që nuk kishte rrugë tjetër.

Tani për tani, republikanët kanë kontrollin në Kongres dhe Senat. Ndonëse shumë persona mund të jenë bezdisur privatisht nga skandalet seksuale të Donald Trump-it, atij nuk i është kërkuar fare të mbajë përgjegjësi.

Disa të tjerë, si për shembull Kryetari në ikje i Kongresit, Paul Ryan, kanë thënë se republikanët mund t’i shohin skandalet e presidentit si diçka që nuk ka lidhje me detyrën. Pse? Sepse republikanët e dinë se po t’i vihen kundër një presidenti që gëzon pëlqim të fortë nga baza e djathtë, rrezikohen shumë në një vit zgjedhor, pikërisht në kohën kur kanë rënie energjie. Shpresa më e mirë u mbetet ta ndezin publikun kundër rivalëve duke thënë se “demokratët e ligj” duan ta rrëzojnë presidentin nëpërmjet akuzave. Si përfundim, po të acarohesh ndaj sjelljes së presidentit mund të merret si militantizëm.

Trump nuk është se e ka distancuar veten plotësisht nga ndikimi ligjor që mund t’i shkaktojë pagesa që i ka bërë Stormy Daniels-it, e po të gjykosh nga e shkuara e tij personale, ai duhet të ketë shumë skandale të tjera për të cilat nuk dimë gjë.

Megjithatë, skandalet seksuale nuk e kanë rrëzuar deri tani.

Me kaq sa e kanë ulur nivelin e “vlerave familjare” (argument i fortë i të djathtës) në vitin 2018, fatkeqësisht, do të duhet pak guxim nga republikanët, më e pakta, dhe ndoshta më shumë prova publike për të vërtetuar nëse Trump e dinte apo jo për paratë që iu dhanë Stormy Daniels-it për të mbyllur gojën, në mënyrë që ky skandal të ngrihet përmbi të tjerët.