Rruga e Kombit/ Vendi ku u dogjën postblloqet e tarifës 5 euro dhe opozita u ngjall

Në Rrugën e Kombit kanë mbetur tashmë vetëm shenjat dramatike të një iniciative ekonomiko-politike, e cila falë rezistencës së qytetarëve të Kukësit, do të duhet të rikonceptohet. Në pikën e tarifimit të kësaj rruge mund të dallohen ende gjurmët e revoltës së dhunshme që patën banorët e Kukësit disa ditë më parë për të ndaluar që kjo iniciativë të rëndonte më së shumti mbi ta. Bashkë me gjurmët e lëna mbi objektet e ngritura në asfalt, kjo protestë evidentoi disa elemente që meritojnë të sillen në vëmendjen e opinionit publik, edhe ditë pasi ngjarja ndodhi. E kjo është një qasje ndryshe nga mediat fast-food, që i kushtojnë rëndësi një problemi vetëm kur ai shfrytëzohet për politikën e ditës.

Së pari, protesta e banorëve të Kukësit ndezi prozhektorët e vëmendjes publike mbi problemet e cilësisë së qeverisjes në përgjithësi, përtej ngjyresave politike. Protesta tregoi se si reagon Kukësi, një krahinë shtetdashëse, që ka gjurmë të rëndësishme në pavarësinë e Shqipërisë, me pozicion strategjik, veçanërisht pas heqjes së barrierave kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës, njëherësh bastion besnik i demokratëve ndaj padrejtësive qeveritare. Kuksianëve iu desh të paguajnë të parët pasojat e një vendimmarrje politiko-ekonomike të pastudiuar mirë.

Së dyti, Kukësi tregoi se sa çalon raporti që qeveritë vendosin me privatët kundrejt ofrimit të disa shërbimeve publike me pagesë. Raport i cili është në përpjestim të zhdrejtë me interesat e qytetarit sa kohë që nuk merr parasysh problemet ekonomiko-sociale, që sjell në mënyrë të diferencuar ose jo vendosja e një pagese për përdoruesit e atij shërbimi publik.  Fjala është për partneritetet publiko-privat, apo koncesionet, apo fillimisht tenderin për ndërtimin e rrugës. Aq e dukshme është pabarazia midis shtetit dhe privatit saqë reflektohet edhe tek cilësia me të cilën realizohen këto shërbime publike, në rastin konkret vepra infrastrukturorel, sikurse Rruga e Kombit.

Është e ditur tashmë se mes shqiptarësh, politikanët e Kosovës shpeshherë kritikojnë pjesën në Shqipëri të Rrugës së Kombit, plotësisht jashtë standardit. Në dallim nga pjesa kosovare, që megjithatë ka dhënë shenja rrënimi. Por kritikët nuk duan të kuptojnë apo pranojnë se gjendja e keqe e rrugës lidhet jo vetëm me grabitjen eventuale që mund të jetë bërë gjatë ndërtimit të saj e që ka peshuar në mungesën e cilësisë, por edhe prej mungesës së mirëmbajtjes, sa kohë që nuk është gjetur skema e duhur financiare për të rimbursuar ndërhyrjet për të cilat ka nevojë rruga për t’u sjellë në standardet normale.

Kukësi i dha në këtë mënyrë një leksion me dy përfundime qeverisë, që do të duhet të mendohet mirë përpara se të ndërmarrë një nismë të tillë: 1) 6 muajt e provës së një koncesioni nuk mund të peshonin fillimisht mbi të varfrit; dhe 2) kujdes në pranimin e kushteve të privatëve në koncesione.

Ky deduksion nuk duhet lexuar kurrsesi në mënyrën bardh e zi, sikurse është qasje e disave për të anatemuar çdo partneritet publik-privat, një qasje krejtësisht komuniste. Nga ana tjetër, kjo nuk e zhbën faktin se bëhet fjalë për një raport kontraktual të pabarabartë, që ndërtohet si i tillë jo vetëm prej elementit korruptiv, por edhe për shkak të paaftësisë që ka qeveria për të siguruar kontrata të drejta me privatët. Mungojnë juristët profesionalë të saj, ndërsa juristët profesionistë privatë kushtojnë shumë.

Së treti, reagimi i kuksianëve testoi nga ana tjetër edhe aftësinë e opozitës për të luajtur rolin e saj. Praktikisht Kukësi i dha një kauzë të prekshme kësaj opozite apatike, të zënë peng në një luftë donkishoteske për të penguar vetting-un. Donkishoteske, sa kohë që bashkësia ndërkombëtare tregoi se nuk mund të mbështesë një opozitë që është kundër operacionit më të madh të drejtësisë të ndërmarrë nga SHBA-ja dhe BE-ja, me qëllim spastrimin e drejtësisë dhe politikës, për të krijuar modelin e shtetformimit, që prej Shqipërisë mund të transplantohej në gjithë Ballkanin.

Së katërti, Kukësi ndihmoi Kosovën. Kukësi, pas protestës që vijoi dhe duke zbritur në Tiranë, sakaq zgjodhi të tërhiqej me fisnikëri në vuajtjen dhe varfërinë e tij. Por kuksianët ndihmuan dhe të tjerët. Kuksianët arritën të dëshmonin se Rruga e Kombit nuk është vetëm një rrugë e tyre, por ajo i takon edhe e shqiptarëve të Kosovës, bizneseve kosovare, që do vuajnë gjithashtu, ndaj qeveria nuk mund të përjashtojë vetëm kuksianët nga barra e rëndë e një tarife si ajo që u tentua. Kjo rrugë në fakt ka potencialin për të qenë ndërlidhëse me shqiptarët, por dhe midis tyre dhe rajonit përmes të ashtuquajturit “Korridor i 10-të” duke shtuar rëndësinë e saj edhe për ekonominë serbe. Kjo nuk është hipotezë e pabazuar: gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Rama në Serbi, presidenti Vuçiç pohoi se do të shikohej mundësia për të ndërtuar autostradën NISH-DURRËS, një rrugë që e çon Serbinë në det, por zhvillonte dhe zonat e prapambetura të Prokupljes dhe Kurshumlisë.

Qeveria e Ramës kuptoi gjithashtu se vendit i nevojiten megjithatë projekte të mëdha zhvillimore, jo domosdoshmërisht të lidhura me infrastrukturën. Dhe Kukësi ofron hapësirë për këtë.

 Reagimi i qeverisë-planet për zhvillimin strategjik të Kukësit 

Do duhet theksuar se tërheqja e qeverisë nga një projekt me kaq shumë probleme, ndodh dhe për faktin se tashmë ekzekutivi e kuptoi rëndësinë e dialogimit me banorët e kësaj zone dhe ndryshimin e qasjes ndaj tyre dhe zhvillimit në përgjithësi. Për këtë arsye qarkun e vizitoi këtë të mërkurë edhe ministri i financave, Arben Ahmetaj, duke lënë qartazi të kuptohet se ndihma për këtë qark do të jepet jo thjesht duke i përjashtuar nga tarifa. Pas tij do të jetë në Kukës ministri i energjitikës dhe infrastrukturës, Damian Gjiknuri, pra qeveria nuk po e harron zonën më të varfër të shqiptarëve, por që gjendet afër pasurive të mëdha. Pse?

Kukësi ka një aeroport të rindërtuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë luftës së Kosovës dhe që mund të fitojë një përmasë ndërkombëtare, ndërsa aeroporti kryesor i Kosovës nuk është gjithmonë i përdorshëm, por jo vetëm kaq: aeroporti i Kukësit ka veçori të tjera. Kjo shihet veçanërisht nga ata njerëz që e shohin hapësirën shqiptare si një të tërë dhe që dinë të ndërlidhin interesa të shqiptarëve me botën. Ndaj dhe në funksion të këtij vizioni, Kukësit i duhet të rivitalizojë aeroportin e tij, me një qasje të re.

Kukësit i ka falur natyra dhe një nga basenet ujore më strategjike për vendin, pasi prej tij prodhohet energjia me bazë hidrike, që furnizon mbi 90% të Shqipërisë, edhe pse përqendrimi i qeverisë vetëm tek energjia ujore është duke i shkaktuar një kosto jo të vogël buxhetit të shtetit, sa kohë që ka krijuar varësi të plotë nga ndryshimet klimatike në një botë gjithnjë e më të afektuar nga ngrohja globale. Në këtë kontekst luajnë një rol edhe lobet e vendeve fqinje për energjinë, si Serbia. Po ashtu, edhe peshkimi është një sektor me perspektivë zhvillimi në Kukës. Liqeni është vatra kryesore për këtë.

Kukësi është një zonë e pasur me miniera të rëndësishme, kromi, etj.

Kukësi, si pjesë e Malësisë së Gjakovës, vetëm, por dhe me zonat fqinje me të në Kosovë, mund të ofrojë atraksione turistike për klimën dhe relievin mahnitës që ka.

Të gjitha këto, por edhe të tjera variante zhvillimore, do e nxirrnin atë nga listimi si qarku më i varfër në vend. Kukësi e ndihmoi veten në këtë aspekt, pasi mori vëmendjen që kërkonte dhe tashmë qeveria duket se po përgatit një strategji të mirëfilltë në ndihmë të banorëve të kësaj zone. Por Kukësi nuk e ndihmoi dot opozitën.

Kauza e Kukësit dhe opozita flegmatike

Tërheqja e Kukësit nga kauza me sensibilitet të lartë popullor e la opozitën sërish të përfshirë në mesin e amullisë së saj, shterpsinë e kauzave dhe çorganizimit që e ka karakterizuar. Paçka se këto 10 ditë të shenjtëruara nga opozita, (për ata që kanë lexuar librin e John Reed “10 ditët që tronditën botën” për vendosjen e komunizmit në Rusi), janë po kaq vendimtare për politikën shqiptare. Opozita kryesore- PD-ja duhet të rikonceptojë rolin e vet, raportin me qeverinë dhe qytetarët, kauzat e saj, bashkëpunimin elektoral të saj me subjektet e tjera politike sikurse LSI. 10 ditëshi që zuri fill me protestën e Kukësit mbetet vendimtar pasi një rekomandim pozitiv që do të jepte Komisioni Evropian në 17 prill për të çelur pa kushte negociatat, do të shndërrohej në një kapital politik për shumicën, të cilën opozita po e lufton me çdo kusht. Ndaj dhe parlamenti po shndërrohet në arenë mielli dhe përplasjeje politike, në pamundësi të shfrytëzimit të rrugëve dhe braktisjes së Kuksit. Të trimëruar nga mediatizimi i këtyre episodeve që janë kopje të dobëta të opozitarizmit kosovar me gaz lotsjellës, dikush nga opozita po flet për përplasje civile, që në fakt nuk po duket asgjëkundi. Në këtë funksion ishte edhe mesazhi që përcolli në Bruksel opozita, kur u kërkoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mos mbyllin sytë dhe veshët ndaj situatës në Shqipëri, sepse vendi po rrëshket, sipas opozitës, në autoritarizëm. Tarifa e Rrugës së Kombit po përpiqet të trajtohet nga opozita si shembull që përligj akuzat e saj.

Në dallim nga opozita, Kukësi megjithatë duket se diti ta shfrytëzojë këtë vëmendje që mori, me qëllim për t’i dhënë vetes një program zhvillimor. Edhe pse për ta vënë në zbatim këtë program do të duhet bashkëpunimi i kryebashkiakut të djathtë me Kukësin dhe qeverinë socialiste. Megjithëse ky duket se është një problem që mund të zgjidhet sa kohë që Kukësi nuk duket se e ka dëmtuar marrëdhënien e tij me qeverinë qendrore, pavarësisht protestës së dhunshme.