Shqipëria, mikpritëse e “Kampionatit Botëror të Shahut”

Për herë të parë, 400 shahistë nga mbarë bota, do vijnë në Shqipëri të garojnë në lojën e bukur të shahut, në “Kampionatin Botëror të Shkollave”.

Durrësi do të jetë mikpritësi i shahistëve midis datave 20-29 prill 2018, në këtë aktivitet të organizuar nga Federata Shqiptare e Shahut, nën përkujdesjen e FIDE (Federata Botërore e Shahut), Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

 

“Do të ketë me qindra gazetarë; organizatorë zyrtarë të Federatës Botërore të Shahut, në këtë të parin event shqiptar, ku do të jenë në total mëse 600 persona”, ka deklaruar Erald Dervishi, zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Shahut, ndërsa shton se: “Ky është një nga eventet më të rëndësishme vjetore të FEDE-s”.

Ndërsa pritet një interesim i madh i mediave, jo veçse shqiptare por edhe të huaja, Dervishi është ndalur tek niveli i shahistëve shqiptarë, duke thënë se: “Kemi disa grupe fëmijësh shqiptarë, të cilët ndiqen aktualisht nga trajnerë të personalizuar.

Kemi dy-tri nxënës, të cilët realisht mund të prodhojnë rezultate të kënaqshme në këtë event ndërkombëtar”.

Kampionati Botëror i Shahut (World Chess Championship ose WCC).

Koncepti i një Kampionati Botëror të Shahut, filloi të shfaqej në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, ndërsa fraza “kampioni i botës”, u shfaq në vitin 1845.

Kampionati botëror, zyrtarisht mendohet të ketë filluar në vitin 1886, kur të dy lojtarët kryesor në Evropë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Johann Zukertort dhe Wilhelm Steinitz, respektivisht janë përballur në një lojë.

Nga viti 1886 deri më 1946, kampioni vendoste kushtet, duke i kërkuar çdo sfidanti që të kishte mbështetje të konsiderueshme e të mposhte kampionin në një ndeshje, në mënyrë që të bëhej kampioni i ri botëror.

Nga 1948 deri në vitin 1993, kampionati është administruar nga FIDE, Federata Botërore e Shahut.

Në vitin 1993, kampion në fuqi (Garry Kasparov), u shkëput nga FIDE, e cila çoi në krijimin e kampionatit rival në shah: Professional Chess Association. Titujt u unifikuan në Kampionatin Botëror të Shahut 2006.

Kampioni aktual i botës, Magnus Carlsen, fitoi Kampionatin Botëror të Shahut 2013, kundër Viswanathan Anand dhe me sukses e mbrojti titullin e tij, kundër Anand, në Kampionatin Botëror të Shahut 2014.

Përveç kësaj, ekziston një garë e veçantë vetëm për gratë, për titullin Kampione e Botës në Shah për Gra, si dhe gara dhe titujt të ndara për të vegjël (nën 20-vjeç), dhe të moshuarit (60+ për burrat, 50+ për femrat), si dhe për kompjuterët.

Kompjuterët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm për titullin e fundit.