Shqipëria mirëpret 387 shahistët “e vegjël” nga mbarë bota (Foto/Video)

Presidenti i Federatës së Shahut, Eduard Shalsi: “Besojmë fort se, sa më herët fëmijët të mësohen me shahun, aq më të përgatitur do të bëhen nesër, për sfidat të cilat do t’i përballë jeta”

“Shkenca e mendjes” quhet ndryshe sporti i shahut, që Shqipëria është bërë mikpritësja e këtij aktiviteti botëror, ku marrin pjesë më shumë se 700 pjesëmarrës dhe më se 378 lojtarë, nga 40 vende të botës.

Aktiviteti sportiv i kësaj rëndësie të veçantë është organizuar nga Federata Shqiptare e Shahut (FSHSH) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), si dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, midis datave 20-29 prill 2018, në qytetin e Durrësit.

Sfiduesit përballë njëri-tjetrit, do ushtrojnë në praktikë strategjitë e tyre, duke provuar aftësitë e stërvitura prej kohësh, ndërsa nga Shqipëria, një prej përfaqësuesve të saj më të denjë është edhe gjeniu 6-vjeçar, Dionis Senjo; – jo krejt i panjohur për shqiptarët, pasi që në moshën 2-vjeçare ka marrë pjesë në një sërë emisionesh televizive, – sport të cilin, ai e ka mësuar në mënyrë perfekte veçse në dy javë.

Loja e shahut bazohet tek inteligjenca dhe përqendrimi ndaj dhe është një ndër lojërat logjike më komplekse e cilësuar edhe si “Shkenca e mendjes”, e për këtë janë vendosur përballë njëri-tjetrit 64 vajza dhe djem, në 6 seksione respektive; nën 7 vjeç, nën 9 vjeç, 11, 13, 15 dhe nën 17 vjeç…

“E bukura e shahut është se kjo lojë kapërcen gjuhët, moshat, racat, kombësitë, fetë, gjinitë apo kushtet. Cilado qofshin rrethanat, çdokush mund të shijojë një betejë të fortë mbi dërrasën e shahut”.  Kjo shprehje e vjetër për lojën që njihet si “shkenca e mendjes” vlen veçanërisht kur jo pak, por plot 378 të rinj nga e gjithë bota, lojtarë të shahut, përballen me njëri tjetrin në “Kampionatin Botëror të Shkollave”.

Të ndarë sipas shteteve Kazakistani garon me 52 lojtarë, Sri Lanka me 37, Turqia me 32, Mongolia me 29, Russia dhe India me 21, Rumania dhe Azerbajxhani me 16, Polonia me 12 lojtarë, etj.

Në ceremoninë e hapjes së këtij kampionati  që sjell në vendin tonë magjinë e shahut, zëvendës Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, falënderoi FIDE-n, Federatën Botërore të Shahut që këtë vit ia dha mundësinë Shqipërisë që të organizojë këtë aktivitet të rëndësishëm.

Ndërsa, Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi, tha se “në Shqipëri ne jemi të vendosur ta masivizojmë dhe popullarizojmë lojën e shahut, sepse besojmë fort që sa më herët fëmijët të mësohen me shahun, aq më të përgatitur do të bëhen nesër për sfidat me të cilat do t’i përballë jeta”.

Patrick Van Holandt, Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Vendeve Frankofone të Shahut, njoftoi se, shumë shpejt do të zhvillohet në Shqipëri një tjetër aktivitet me rëndësi për shahun, Kampionati Frankofon i Shahut.

Kampionati pritet t’i shërbejë afrimit të të rinjve në këtë sport, por edhe projektit për futjen e shahut në shkollat e vendit.

Tashmë, 25 mësues shqiptarë janë trajnuar e licencuar nga Federata Botërore e Shahut dhe janë përgatitur ndërkaq 2 libra, për mësues e për nxënës, duke mundësuar futjen e shahut si, lëndë edukative në shkolla.

Kampionati Botëror i Shahut (World Chess Championship ose WCC).

Koncepti i një Kampionati Botëror të Shahut, filloi të shfaqej në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, ndërsa fraza “kampioni i botës”, u shfaq në vitin 1845.

Kampionati botëror, zyrtarisht mendohet të ketë filluar në vitin 1886, kur të dy lojtarët kryesor në Evropë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Johann Zukertort dhe Wilhelm Steinitz, respektivisht janë përballur në një lojë.

Nga viti 1886 deri më 1946, kampioni vendoste kushtet, duke i kërkuar çdo sfiduesi që të kishte mbështetje të konsiderueshme e të mposhte kampionin në një ndeshje, në mënyrë që të bëhej kampioni i ri botëror. Nga 1948 deri në vitin 1993, kampionati është administruar nga FIDE, Federata Botërore e Shahut.

Në vitin 1993, kampion në fuqi (Garry Kasparov), u shkëput nga FIDE, e cila çoi në krijimin e kampionatit rival në shah: Professional Chess Association. Titujt u unifikuan në Kampionatin Botëror të Shahut 2006.

Kampioni aktual i botës, Magnus Carlsen, fitoi Kampionatin Botëror të Shahut 2013, kundër Viswanathan Anand dhe me sukses e mbrojti titullin e tij, kundër Anand, në Kampionatin Botëror të Shahut 2014.

Përveç kësaj, ekziston një garë e veçantë vetëm për gratë, për titullin Kampione e Botës në Shah për Gra, si dhe gara dhe titujt të ndara për të vegjël (nën 20-vjeç), dhe të moshuarit (60+ për burrat, 50+ për femrat), si dhe për kompjuterët.

Kompjuterët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm për titullin e fundit.