Sulmi në Siri, reagon për herë të parë Putin: Shkelje e së drejtës ndërkombëtare

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka reaguar lidhur me sulmin e SHBA-ve, Britanisë dhe Francës në Siri.

Putin dënoi sulmin, ndërsa e cilësoi atë shkelje të të drejtave ndërkombëtare. Sipas presidentit rus, SHBA po nxit një valë të re të azilkërkuesve nga Siria.

“SHBA dhe aleatët e saj goditën objektet civile dhe ushtarake në Siri, duke shkelur Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Me këto veprime, Uashingtoni po nxit vetëm një valë të re të azilkërkuesve nga Siria dhe rajoni”-, tha presidenti rus.

Pak me herët Ministria e Mbrojtjes ruse pohoi se njësitë e saj ushtarake nuk ishin përfshirë në aksion, ndërsa deklaroi se operacioni amerikane, britanike dhe franceze u kundërshtuan vetëm nga sistemet anti-raketore siriane “S-125, S-200, Buk dhe Kvadrat, (sisteme të prodhuara 30 vite më parë në Bashkimin Sovjeti).

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, sipas ministrisë ruse avionët luftarakë dhe anijet e SHBA dhe të aleatëve, nisën mbi 100 raketa të lundrimit dhe raketa ajrore në objektet civile dhe ushtarake siriane.