Argjentina në prag falimentimi

Argjentina, pa dyshim me pasuritë e jashtëzakonshme që ka, duhej të ishte një nga vendet më të pasura të globit, por politikat e një të majte gati caviste e kastriste dhe të një të djathte ekstemisht liberale me periudha grushti shteti e diktaturash e kanë shndërruar këtë vend në situatë paqëndrushmerie makroekonomike dhe të përplasjeve të shpeshta sociale të rrezikshme…
Vendit i ka munguar një politikë e qendrës së moderuar ose e një e majte progresiste, për të zbatuar politika ekonomike të ekuilibruara, që të mund ta mbante vendin në një ekuilibër të domosdoshëm për një prosperitet ekonomik.
Argjentina është një vend i Amerikës së Jugut me një sip. 2,78 milion km katrorë, një popullsi prej 43,4 milion banorë dhe një GDP 611 miliard dollarë në terma nominalë dhe 878 miliard në terma të paritetit të fuqisë blerëse.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, që nuk e përfshiu kontinentin amerikan, Argjentina konsiderohej një nga vendet më të pasura të botës së shkatërruar nga lufta dhe një fluks prej miliona emigrantësh dhe kapitalesh i dha vendit, sidomos në vitet 1950-1970, një rritje të fuqishme ekonomike.
Por vendi asnjëherë nuk ka patur një situatë politike normale. Një alternancë demokracie me grushte shtetesh kanë karakterizuar vendin në 70 vitet e fundit. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe në një rajon, ku si asnjë pjesë tjetër të botës, janë kryer mbi 100 grushte shtetesh, që janë bërë gati një normalitet për Amerikën Latine. Ushtarakët e kanë qeverisur mbas lufte në vitet 1955-58,1962-64 1966-73 dhe 1976-83. Vetëm mbas vitit 1983 në Argjentinë u rivendos demokracia dhe vendi ka kaluar një periudhë politike relativisht normale.
Por këto situata politike demokratike kanë sjellë në pushtet grupime politike si të majta ashtu edhe të djathta, mjaft divergjente midis tyre dhe aplikimi i politikave ekonomike të majta gati ekstreme dhe politika të djathta liberale, duke kryer alternaca politikash ekonomike diametralisht të kundërta, ia humbën vendit forcën ekonomike dhe Argjentina rrëshqiti në një periudhë ciklike të krizave ekonomike. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por politikave të shtetëzimeve dhe subvensioneve të majta e alternonin privatizimet masive.
Kriza më e rëndë ishte ajo e vitit 2001, ku vendi shpalli default dhe protesta të dhunshme shpërthyen në vend pasi shumica e popullsisë humbi kursimet.
Sidoqoftë, e majta e përfaqësuar nga familja Kirchner- Nestor dhe Kristina arriti të kryejë një lloj stabilizimi ekonomik dhe tentojë një politikë për të shkëputur vendin nga politikat ekonomike të rekomanduara nga FMN.
Në vitin 2004, Argjentina arriti të shlyejë edhe këstin e fundit të borxhit ndaj FMN-së dhe në një festim masiv në sheshin Plaza de Mayo në Boenos Aires deklaroi se nuk do të kthehej më kurrë tek FMN-ja.
Por ja, pas 17 vitesh Argjentina është në prag të falimentimit dhe e vetmja rrugë që i ka mbetur është trokitja me përultësi në dyert e FMN-së, duke kërkuar 30 miliard dollarë borxhe.
Por FMN-ja e sotme nuk është ajo e viteve ’90 dhe kushtet e marrjes së borxheve janë forcuar dhe kërkojnë reforma që rrezikojnë një ekspoldim të revoltave sociale.
Situata ndryshoi kur në 2015 erdhi në pushtet e djathta liberale me presidentin aktual Macri, që ndryshoi diametralisht gjithë politikat ekonomike. Macri synoi rilancimin e ekonomisë nacionale, por reformat e tij të stampës liberiste, që janë kontestuar fuqishëm gjatë gjithë kohës nga një pjesë e madhe e popullsisë, duket tashmë qartë se kanë dështuar, duke ekspozuar vendin drejt skenarëve të falimentimit.
Kriza që po troket tashmë është e frikshme. Në 10 ditët e fundit, monedha vendase, pesos, ka humbur 5% dhe që nga fillimi i vitit, 23%. Norma e interesit është rritur në shifrën alarmuese të 40%, kurse inflacioni i kaloi tashmë 25%.
Spektri i krizës së frikshme të vitit 2001, me pasojat shkatërrimtare që pasuan tashmë, preokupon çdo argjentinas.
Në Argjentinë tashmë është një debat i zjarrtë politik, pasi Partia e Kirchner -Frente para la victoria – dhe Partido Justicialista PJ, kanë deklaruar se kjo marrëveshje nuk duhet të jetë në kurriz të popullit argjentinas dhe sondazhet e fundit flasin për më se 75% të popullsisë, që është kundër kësaj marrëveshjeje me FMN-në.
Amerika Latine e viteve 2000, me përjashtinm të Kolumbisë, është qeverisur nga sisteme të majta, që synuan edhe grupime të tilla ekonomike si Merconsur, një lloj tregu ekonomik latinoamerikan, ku Cavesi i Venezuelës – një tjetër shtet pothuajse i falimentuar- ishte frymëzuesi i një aspirimi politik dhe ekonomik kuban.
Por mbas viteve 2015 e djathta filloi të kthehej në pushtet përsëri në disa vende, dhe politika dhe reforma liberiste filluan të aplikohen menjëherë në kundërshtim me politika të majta populiste dhe sidomos atyre politikave sociale të aplikuara nga qeveritë e majta dhe pakënqësia e popullsisë filloi të rritet ndjeshëm.
Dështimi ekonomik i Argjentinës, që tashmë e shohin të gjithë, patjetër që do të ketë konseguenca politike në gjithë kontinentin. Sidomos kjo do të ndikojë veçanërisht në dy shtetet më të mëdha, Brazil dhe Argjentinë, që vitin që vjen do të mbajnë zgjedhjet dhe që tani si Mauricio Macri në Argjentinë ashtu edhe Michel Temer në Brazil janë nga presidentët më pak të vlerësuar mbas lufte, me një mbështetje që nuk shkon më shumë se 20%.
Në fakt, është një fatkeqësi e madhe që një vend që duhet të ishte sot një nga vendet më të pasura të globit rrëshqet në mënyrë ciklike në kriza të rrezikshme për shkak të një klase politike që si pasojë e një konfliktualiteti tipik ameriko-latin dhe aplikimit të alternuar të politikave ekonomike diametralisht të kundërta ka kohë që është kthyer në një pengesë për të ardhmen e këtij vendi, që është sot një nga 3 furnizuesit më të mëdhenj të botës me produkte ushqimore.