Balla reagon pas akuzave të dëshmitarit X: PD-ja, e përfshirë në një skemë mafioze

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilëson mafioze mënyrën e zgjedhur nga PD për të denoncuar implikimin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Sipas tij, Partia Demokratike po përdor skema kriminale për të shantazhuar ministrin Xhafaj.

Në një deklaratë për mediat, Balla thotë se “Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar”.

Duke u ndalur tek video-dëshmia e dëshmitarit X, e publikuar ditën e sotme, Balla thotë se ai është “një mashtrues tepër i rëndomtë, i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshmet”

“Lufta politike ka shkuar edhe në ekstremet më të mëdha të një konflikti politik, por në asnjë vend nuk ishte parë që një parti politike të përfshihej në një skemë të mirëfilltë kriminale. Deri dje kemi besuar se interesa të caktuara të grupeve kriminale, të cilët shfrytëzonin interesin e një partie politike, në rastin konkret të PD, për të denoncuar raste që ndikojnë kundër qeverisë.

Ajo çka ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qenë prezent në bisedën e publikuar nga PD, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë kriminale që përdor forma mafioze të adresimit të shqetësimeve të tyre.

Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar, me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë vendimmarrjen e vendeve të BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Nuk ia vlen aspak të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të një njeriu, që duket qartë se është një mashtrues tepër i rëndomtë, i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshmet”, deklaroi deputeti i PS.

Balla i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë sa më shpejt, dhe të zbardhë këtë ngjarje.