Basha-Ramës: Të vërtetës s’i shpëton dot

Nga foltorja e bllokuar e Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Rama dhe Xhafaj janë dy përgjegjësit kryesorë nëse Shqipëria nuk merr në qershor hapjen e negociatave me BE.

“Je përgatitur që nëse nuk hapen negociatat në Qershor t’u thuash shqiptarëve se fajin e ka opozita. Rama dështoi që të plotësojë kushtet për në BE. Kriminalizuat Parlamentin, prandaj çfarëdo daulle të shpuar t’i biesh nga kjo foltore, të vërtetës nuk i shpëton dot. Vetëm ti dhe Xhafaj jeni përgjegjës sot për moshapjen e negociatave. Nuk e bëri PD Tahirin ministër të Brendshëm, por ishte ti Rama. Nuk e lidhi PD Tahirin me krimin, por ti. Nuk e bëri PD Xhafajn ministër të Brendshëm, ndërkohë që vëllai vijon të jetë bosi i drogës në Shqipërisë.

Ti do vetëm llafe boshe, gënjeshtra, trillime, fyerje dhe kërcënime, kundër qytetarëve të tyu, kundër gazetarëve, kundër opozitës, madje edhe kundër europianëve që ta thonë në sy të vërtetën”, u shpreh kryedemokrati Basha.