Berisha, Tahiri, SHIKU, apo policia e bëri regjistrimin?

Menjëherë pas publikimit të video-përgjimit ku u përfshi vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, të gjithë filluan të fërkojnë duart. Madje filluan të fërkojnë duart edhe njerëz nga qeveria, edhe Saimir Tahiri, edhe njerëz nga opozita.

Lind pyetja: Pse?

Ndërkombëtarët janë fokusuar prej kohësh tek Reforma e Drejtësisë. Me këtë reformë, me rolin e ekzekutorit, qoftë edhe për pjesën e gjyqësorit apo të drejtësisë në tërësi, Fatmir Xhafaj u bë njëriu më i fuqishëm në qeveri, madje edhe më shumë se vetë Tahiri, në kohën kur ky i fundit drejtonte ministrinë e Brendshme.

Xhafaj ishte personi që pritej të arrestonte peshqit e mëdhenj, që janë përmendur shpeshherë edhe nga ndërkombëtarët.

Ndërkohë që kazani i politikës dhe i drejtësisë po zien, papritur doli në pah skenari i përgjimeve nga PD-ja. Ky skenar është me disa seri, ku parashikohen veprimet e Bashës për të goditur qeverinë dhe për t’i futur në gabime.

Ka një pjesë të mirë të faktorit politik, që fërkojnë duart nga ky përgjim, por ajo që ngelet për t’u mësuar është faktori kohë. Duhet parë koha se kur filluan sulmet kundër Xhafës dhe cila është koha e regjistrimit të bisedës së përgjuar, ku përfshihet edhe vëllai i tij, Agron Xhafaj. Pyetja thelbesore është: Kur është realizuar ky përgjim?

Nga videoja që ka shpërndarë Partia Demokratike nuk tregohet asnjë datë apo orë filmimi. Pra koha e përgjimit nuk tregohet.

Duket se koha e përgjimit për opozitën nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Për PD-në, e rëndësishme nuk është nëse ky regjistrim është bërë, tani apo para 5 viteve, por buja e madhe që do të shkaktojë tek publiku.

Duket e pamundur që ky përgjim të jetë bërë kohët e fundit. I bie që Fatmir Xhafaj të ketë përgjuar veten e tij. Nëse tregohet koha se kur është realizuar përgjimi, dalin në pah edhe fakte që do të tregojnë autorin se kush e bëri këtë regjistrim.

Pra kush e ka bërë? Njerëzit e policisë, të cilët, ndonëse Xhafaj është ministër, ata janë ende nën kontrollin e Tahirit?

E bëri opozita?

SHIKU?

Apo u arrit të bëhet përgjimi në rrugë private?

Ajo që të bën përshtypje në këtë regjistrim është fabula që tregohen në ato 3 minuta të montuara nga PD-ja.

Sipas përgjimit, trafikanti flet me Agron Xhafën dhe më pas shkon tek Ermali dhe merr kanabisin…dhe ata jetuan të lumtur dhe të kënaqur!

I vetëm element i prekshëm është kjo bisedë, por në asnjë vend nuk përmendet kanabisi.

Duke mos treguar faktorin kohë, personat që e kanë shpërndarë nuk duan që organet e drejtësisë të zbulojnë të vërtetën, por duan të krijojnë një klimë armiqësore në qeveri, në mënyrë që të detyrojnë Fatmir Xhafën të japë dorëheqjen.

Nëse zbulohet koha se kur është realizuar ky përgjim, do të dalë në skenë edhe autori i saj. Pra do të merret vesh se kush e ka bërë këtë regjistrim, ose urdhri i kujt ka qenë.

Përgjimi tregon se janë takuar në Vlorë, por KUR? Sa muaj ka që Fatmir Xhafaj është në krye të ministrisë së Brendshme dhe sa kohë ka që është bërë ky regjistrim?

Pse po mbahet e fshehtë koha e përgjimit? E vërteta e sulmit kundër Xhafajt koinçidon me gjyqin e Saimir Tahirit. Dihet se Fatmir Xhafaj nuk ka patur marrëdhënje të mira me Saimir Tahirin.

A mund ta ketë bërë vetë Saimir Tahiri këtë përgjim?

Në fakt, opozitën nuk mund ta bësh fajtore, edhe pse e ka ditur dhe e ka disponuar këtë përgjim. Opozita nuk ka gjasë institucionaliste që të ndihmojë prokurorinë. PD-ja duket se është ulur në një tavolinë bixhozi, ku, duke e parë se po humbet me kartat e para, po nxjerr në shesh kartat që ruan nën mëngë për të krijuar bujë.

Por ky përgjim do të jetë një test për Prokurorinë, e cila normalisht duhet të veprojë. Ky test do të zbulojë edhe eventualisht se kush ia bërë këtë përgjim Xhafës.

Edhe pse nuk tregohet koha e përgjimit, mendohet që të ketë ndodhur kur ka qenë ministër i Brendshëm Saimir Tahiri.

Me gjasë ta ketë bërë Tahiri, kjo për shkak se Xhafaj e ka sulmuar shpeshherë gjatë kohës kur kishte në dorë arkitekturën e Reformës së Drejtësisë.

Dihet se ministri aktual i Brendshëm dizenjoi me duart e të huajve strukturën e drejtësisë, gjyqësorit, prokurorisë dhe të policisë. Xhafaj mori fuqinë që mund të godiste drejtësinë e vjetër.

Ai do të kishte në duar të gjitha organet ligjzbatuese, përfshirë edhe shkollën e Magjistraturës, apo edhe vetë hetimet që kryen ministria e Brendshme. Ai do të ishte varrmihësi i sistemit të vjetër juridik dhe atij politik. Me ndërtimin e Reformës së Drejtësisë, Xhafaj filloi të krijonte shumë armiq.

Ju kujtohet historia që tronditi mediat para disa viteve? Roger Clinton Junior, vëllai nga babai i Bill Clinton, u arrestua për trafik droge. Ai u kap nga policia amerikane gjatë një operacioni të autorizuar nga vetë Presidenti Bill Clinton. Para se të përfundonte mandatin e tij presidencial, Clinton e fali vëllanë e tij.

Në fund doli se Bill Clinton është një nga presidentët më të mirë të Amerikës dhe këtë gjë nuk e përcaktoi vëllai i tij trafikant, por këtë gjë nuk mund ta themi ende për Xhafajn.