Çelet panairi i librit në Fier/ Kryefjala ishte Skëndërbeu

Ndryshe nga Panairi i nëntorit në Tiranë, në panairin kombëtar të librit në Fier nuk rendin të zënë radhë mediat për ta ushqyer veten një javë e lajme të gatshme, as nuk zënë radhë shkrimtarët e vetëshpallur bestseller, që me sa të munden uzurpojnë ekranet e televizioneve qendrore për të treguar “vlera” të paprovuara artistike.

Në këtë panair, që rrjedh fare natyrshëm e pa sforco të këtyre cirkuseve midis shitjes së vetëvetes dhe imponimit të librit, promovohet shëndetshëm vlera e veçantë artistike.Kjo u provua edhe dje në hapjen e Panairit të pestë të Librit në këtë qytet.

Rreth 100 botues nga krejt treva shqipfolëse, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi u bënë bashkë për panairin e librit. Këtij aktiviteti me përmasa, që çdo vit e më shumë po shkruan një traditë të mirë e origjinale, iu bashkuan dhjetëra profesorë e personalitete me emër të letrave shqipe, si dhe intelektualë libradashës.

Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm personalitete të letrave nga bota akademike, shkrimtarë, studiues, qytetarë, nxënës, etj.

Në panairin “Fieri 2018” janë prezantuar 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1500 janë të rinj.Dita e parë i është kushtuar figurës së Skëndërbeut, në një tryezë shkencore hidhet dritë mbi figurën e Heroit mes historisë dhe letërsisë. Panairi do të qëndrojë i hapur katër ditë. Në fund të tij do të ndahen çmime për 4 autorët më të mirë të vitit.

Gjatë ditës të panairit do të organizohen konferencat shkencore si:

“Figura e Skënderbeut në letërsinë shqipe e të huaj”,

“Jorgo Bulo, ‘magjistari’ i fjalës së mençur”, me rastin e 79-vjetorit të lindjes,

“Universalja në veprën e Petro Markos”,

“Shkrimtaret në letërsinë shqipe”,

Tryezë e rrumbullakët: “Data dhe personalitete” – kolazh me krijime të autorëve shqiptarë e të huaj, që kanë përvjetorë lindjesh dhe vdekjesh.