CR7 s’i jep dorën Perezit, e ëma: Bir, jo te PSG, por tek United (Video)

Cristiano Ronaldo eklipsoi festën e fititmit të Champions-it të tretë radhazi nga Real Madridi, i 13-ti trofe i tillë për klubin e presidentit Florentino Perez.

Portugezi njoftoi largimin e mundshëm nga “Los Blancos”, çka u kritikua nga kapiteni Sergio Ramos dhe të tjerë.

Thyerja duket se është e madhe mes futbollistit dhe klubit madrilen. Kjo është evidentuar hapur nga një video, e publikuar nga kamerat e “El Chiringuito de Jugones”.

Nga pamjet shihet se Ronaldo nuk ia zgjati dorën Perezit, gjatë parakalimit para tifozëve, menjëherë pas kthimit nga Kievi si kampionë Europe.

Një gjest i pahijshëm i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” karshi presidentit, i cili duket se nuk ia ka përmbushur kërkesat financiare për t’ia rritur rrogën po aq sa e Messit te Barcelona.

Kjo video tregon qartë se pas 9 vitesh bashkëjetesë plot suksese, Ronaldo dhe Real Madridi po shkojnë drejt ndarjes. PSG-ja është gati ta rrëmbejë atë, duke i ofruar po aq milionë euro në sezon, sa merr Leo Messi te Barcelona.

Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro ka folur për të ardhmen e djalit të saj: “Unë e dua Parisin. Vij në këtë qytet kohë pas kohe. Hera e fundit ishte kur djali im fitoi “Topin e Artë” të fundit. U ndjeva shumë krenare. Çdo herë që vij në Francë, të gjithë më trajtojnë shumë mire.

Por për ekipin, nëse i referoheni PSG-së, ju them të vërtetën, nuk do të më pëlqente, por do të preferoja që ai të kthehej në Manchester”.