“Ditënetët e Librit”, Agolli tregon magjinë e festivalit: Kulturë e trashëgimi, ja risitë

Është çelur mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar festa pranverore e librit. Pesë ditë e pesë net (16-20 maj), në atriumin e muzeut, në salla e në kënde të tij, brenda e jashtë, deri edhe në pavijone, promovohen libra e mbahen takime me përkthyes e shkrimtarë që i këndojnë himne letërsisë.

Disa gjuhë e disa zhanre, me letërsi shqipe, franceze, spanjolle, ruse, turke, me vargje të fuqishme si ato të Fabrizio De Andre, me histori e gjuhësi, me studime e kujtime dhe rrëfime ku krijuesi, narratori e personazhi ndodh të jenë një.

Gsh thotë se disa shtëpi botuese të vëna krah njëra-tjetrës na rikthejnë vëmendjen te letërsia dhe artet, njëherësh me konkurset letrare e pamore që mbahen në kuadër të këtij eventi.

Në fjalën e hapjes, Elona Agolli tha se një ngjarje të tillë si Festivali “Ditënetët e Librit” e bën të ndihet e nderuar.

Duke falënderuar Ministrinë e Kulturës, që ju përgjigj kërkesës për festivalin, tha se ky event “i bën brezat më të ndjeshëm ndaj mbrojtjes me librin e botimet, e duke e parë së bashku këtë domen nga këndvështrimi i krijuesit, autorit, përkthyesit, mbartësit fillestar të vlerës”.

“Sfondi Historik i Vitit Mbarëshqiptar të Skënderbeut, thërret ‘Ditënetët e Librit’ që përmes nismave me ‘libër e penë’, të kontribuojë në promovimin dhe përçimin e trashëgimisë kulturore e të traditave, të përbashkojë diasporën dhe shqiptarët përtej kufijve në një kuvend virtual vlerash, duke kultivuar ndërgjegje e krenari për thesaret e shqiptarëve të këtej e përtej Drinit.

Gjatë ditëve të festivalit, të pasionuarit do të kenë mundësi t’i prekin këto vlera shqiptare, të shtrëngojnë duart e bashkëbisedojnë me mendjet që i kanë krijuar e trashëguar ato, teksa këtu Kosova mbërrin mes vargjesh poetësh të dashur të pamoshë dhe përmes personalitetesh, që na nderojnë me praninë e tyre e që bartin me vete kontribute me peshë në nismat kulturore përbashkuese”, tha Elona Agolli.

Pasi përmendi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, studentët e Fakultetit të Arteve Pamore, Bashkinë e Tiranës dhe Muzeun Historik Kombëtar, që do të kthehet në sfondin natyral të këndit të leximit, ajo uroi “një navigim të mbarë në ditënetët e leximit”.

Më tej, ministrja Mirela Kumbaro tha se Leximi është hapësirë e lirë mendimi. “Në gjithë këto vite kemi pritur si për Godonë, që të mbërrinte diçka e rrallë dhe e rëndësishme: ndarja së bashku e një kohe të pasur kulturalisht.

Mbushja e kësaj kohe me emocion, mendime, ide, diskutime librash. Takime që të japin shpresë e të bëjnë të ndjehesh i vlefshëm, ku nuk flitet veç për përfitime të shpejta, zgjidhje praktike, kënaqësi që treten pa lënë shenjë. Kemi dashur të krijojmë grupime, shoqëri që i bashkon Shenjti i pazëvendësueshëm, Libri.

Të krijojmë kushtet për një atmosferë mikëpritëse për njerëzit që e duan librin, si për ata që e shkruajnë, ashtu dhe për ata që e lexojnë”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se nuk e krijon dot politika atmosferën për librin, kërkohet ndihma e gjithsecilit, e sidomos e punëtorëve të librit, shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve, lexuesve, edhe e gazetarëve, madje edhe e cinikëve dhe skeptikëve!

“Leximi duhet të mendohet si urë lidhëse, si hapësirë për t’u ndarë bashkë. Libri nuk mund dhe nuk duhet të jetë vetëm pronë elitash e shoqërish të zgjedhura (e kush është ai që do i bënte këto zgjedhje, të rrijë larg prej nesh!)”.

Ajo shtoi se çdo vit shtohen festivalet e librit, si ky që hap dyert sot “Ditënetët e librit” – 5 ditë ku libri do të jetë kryefjalë. Libri dhe leximi, në të gjitha format dhe mënyrat e perceptimit: si brendi, si urë komunikimi, si vepër arti, si burim zhvillimi.