Dortmund dhe West Ham prezantojnë trajnerët e rinj

Lucien Favre është trajneri i ri i Borussia Dortmund. Emri i tij kishte kohë që përflitej dhe sot gjithçka ka marrë formë zyrtare nga klubi i njohur gjerman, që ka bërë publik lajmin në faqen e vet zyrtare.

Trajneri zviceran drejtoi Nicën në Francë sezonin e fundit. Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Dortmund, që do ta drejtojë deri në vitin 2020.

Favre ka drejtuar edhe më parë në Gjermani, ku ka qenë trajner i Hertha Berlin dhe Borussia Monshengladbach.

Ndërsa Manuel Pellegrini u zyrtarizua pak orë më parë në stolin e West Ham, duke u bërë trajneri më i paguar në historinë e klubit.

Ish-trajneri i Manchester City hoqi dorë nga 16 milionë paundët që fitonte në stolin e kinezëve të Hebei Çajna Fortun vetëm për t’u rikthyer në Premier League, ku pritet të firmosë një kontratë 3- vjeçare, nga e cila do të përfitojë 7 milionë paund në sezon.

Kanë nisur të përfliten edhe emrat e parë që ai do të sjellë në “London Stadium”. Dhe ish-futbollisti i tij te “qytetarët”, Jaja Toure, i cili u largua nga “Etihad” pas 8 vitesh këtë sezon, mund të jetë afrimi i parë me parametra zero.