E zbulon vetë Kukësi, Sindrit Guri grumbullohet me Kombëtaren

Klubi i Kukësit ka bërë të ditur se Sindrit Guri është ftuar nga trajneri i përfaqësueses shqiptare, Christian Panucci, për të qenë pjesë e kuqezinjve në grumbullimin për ndeshjet miqësore ndaj Kosovës dhe Ukrainës.

Guri është aktualisht golashënuesi më i mirë shqiptar në Superiore, ndërsa prej kohësh përflitej se do të bëhej pjesë e kuqezinjve.

Me sa duket, transferimi i tij i fundit drejt Oostende i ka mbushur mendjen trajnerit Panucci që ta ftojë atë, për të rivalizuar me emra si Sadiku, Cikalleshi e Balaj.

Njoftimi i Kukësit

Sindrit Guri vishet kuq e zi.

Pas bluzës së kampioneve në fuqi Sindrit Guri tani vishet me atë të ekipit të kombëtares shqiptare.

Më në fund duket se pas ekipit belg të Ostendes, Sindrit Guri ka bindur dhe trajnerin e Kombëtares Shqiptare Kristian Panuçi për t’u bërë pjesë e saj.

Para dy vitesh Guri erdhi tek Kukësi si një lojtar i zakonshëm por falë punës se tij dhe të ekipit kuksian arriti të bëhet një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar.

Për klubin kuksian ky është një vlerësim që pohon edhe një herë së Kukësi është një ekip me peshë në futbollin shqiptar.

Sindrit Guri i bashkohet lojtarëve të tjerë që nga radhët e Kukësit janë bërë pjesë e kombëtares shqiptare dhe asaj kosovare si Cikalleshi, Koliçi, Alla, Musolli, Hoxha.

Klubi kuksian i uron suksese të mëtejshme Sindrit Gurit në karrierën e tij futbollistike.