Flamurtari paguan dënimin, ndaj Partizanit luhet në Vlorë

Klubi i Flamurtarit u dënua nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje për të mos luajtur në fushën e vet dhe ndaj Laçit u luajt në “Elbasan Arena”.

Por ndeshja mes Flamurtarit dhe Partizanit do të luhet në stadiumin e Vlorës dhe jo në fushë asnjanëse. Klubi vlonjat ka bërë gjithë përpjekjet për ta zhvilluar para tifozëve të tij këtë ndeshje dhe ia ka arritur qëllimit.

Nga klubi kuqezi bëjnë me dije se gjysma e dytë e dënimit të Disiplinës është shlyer me pagesë, kështu që ndeshja me Partizanin, e fundit për këtë kampionat në shtëpi, do të luhet në stadiumin “Flamurtari”.

E veçanta këtë herë është se hyrja në stadium do të jetë falas në të gjithë sektorët e stadiumit dhe jo vetëm në sektorë të veçantë.