Gazetari ishte kur pullë të kuqe s’kishte

Më ka pëlqyer gjithnjë gazetaria, dhe për këtë arsye qëndroj i azhornuar me lajmet më të fundit që shpalosin portalet online, të cilët duket se kanë mbirë si kërpurdha pas shiut të copy&paste-s. Në këto portale, pa asnjë tematikë të caktuar, ka aq shumë informacione, sa mund të humbasësh nëpër to. Informacione të çdo fushe, që nga arsimi në Angli, deri te tërmeti në Tajvan. Që nga çmimi i kolltukut të Donald Trump deri te sinjalet jashtëtokësore që e kanë burimin nga galaktikat 3 bilion vite drite larg nesh.

Ndonëse nuk jam dakort që lajmet mbizotëruese të jenë për tema që nuk kanë lidhje drejtë për drejtë me ne, i justifikoj deri diku këto lloj shkrimesh, duke ditur se gazetarët janë ekspert të Google Translate dhe në gjuhë të huaj nuk ka lajme për Shqipërinë, kështu që përkthejnë lajme për vende të tjera. Por sa herë që në Kuvend ndodhin “Skandale” të tipit “Edi Rama shan Saliun” apo “Video/ Saliu dhe Tahiri përleshen…” dhe kur hapet artikulli, vazhdimi i titullit është “verbalisht!”, ngjitur me këto lajme është edhe një rubrikë, e cila ka më shumë klikime se çdo rubrikë tjetër.

Titujt e kësaj rubrike kanë një kryefjalë të përbashkët “+18” dhe më pas vazhdojnë me “Rrëfehet vajza që trathtoi burrin” apo “Si vjehrri më provoi para burrit”, por ka edhe “Punëtori i burrit është më i zoti se burri në shtrat”. Pastaj, po me prefiksin +18 janë edhe “Pornostarja tregon për mashkullin ideal” si dhe “Këto janë pozicionet më të mira në shtrat.” dhe të tjera lajme të tilla. Pse, gazetari është kjo?

Më vjen të qesh kur karshi me foto të “analistëve” që ne kemi, që janë burra me mjekërr, shfaqet lajmi “Kësaj gjëje nuk mund t’i rezistoj asnjë mashkull” apo edhe artikuj të tjerë të cilët më vjen zor që t’i përmend.

Historia ka treguar se kur diçka ka ndërhyrë në diçka tjetër, gjëja e parë ka filluar të rrënohet. Tani që gazetaria ka filluar të ndjejë nevojën për një pullë të kuqe, ose pulla e kuqe do të kthehet në domosdoshmëri të gazetarisë, ose gazetaria do të mbulohet nga një njollë e kuqe e papastrueshme. Shpresoj shumë që të mos ndodh asnjëra, ndonëse unë nuk di ndonjë zgjidhje tjetër.

© Andreas Dushi | Konica.al