KPA nis seancën e rivlerësimit për Adriatik Llallën, ish-kryeprokurori nuk merr pjesë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka nisur sot seancë për vlerësimin e vendimit të KPK nëse ish-kryetari i organit të akuzës, Adriaik Llalla, do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vettingut.

Seanca ka filluar ashtu siç ishte njoftuar se, “KPA bazuar në ligjin ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, ditën e Mërkurë, ora 10:00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja për ankimin që Komisioneri Publik ka bërë kundër Vendimit datë 16.02.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Zotin Adriatik Llalla”.

Kryesues i trupit gjykues është Sokol Çomo, relator i çështjes, Luan Daci, ndërsa anëtarë do të jenë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Ina Rama. Por në këtë seancë nuk është i pranishëm ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por përfaqësohet nga avokati i tij, S. Hazizaj.

Kjo seancë vjen në kuadër të vendimit të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ku për ish-Kryeprokurorin Llalla u vendos ndërprerja e procesit të vetting-ut, sipas vendimit të datës 16 shkurt 2018, pasi ai u largua nga sistemi i drejtësisë, dhe me këtë argument KPK vendosi ndërprerjen e procesit të vetting-ut.