Kursi i Këmbimit/ Euro nis rrugën për të rënë poshtë 127 lekëve

Euro ka vijuar të humbë pikë edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 127.07 lekë, rreth 0.17 lekë më pas se një ditë më parë. Euro ka hyrë në trend rënës që prej fundit të Prillit dhe sot ka shënuar ditën e tetë radhazi që ka humbur pikë ndaj monedhës vendase, duke humbur 2 pikë. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i shkurtit 2009.

Prej fillimit të vitit 2018, deri sot euro ka humbur më shumë se 5.8 pikë ndaj lekut vendas. Kjo rënie kaq e fortë e euros nuk pritej që tani. Ekspertët e tregut kishin parashikuar që euro do të prekte këto nivele me gjatë sezonit turistik, ku flukset e emigrantëve dhe turistëve rrisin më tej ofertën në valutë në vend. Sipas ekspertëve të tregut, tendenca rënëse e euros do të vijojë.

Faktori kryesor vijon të mbetet oferta e lartë për euro, sidomos ajo informale, që po kanalizohet përmes ndërtimeve.

Ekspertët e bankave pohojnë se ndikim ka dhe procesi i deeuroizimit, të nisur nga banka e Shqipërisë, por që nuk është thelbësor.

Një tjetër faktor që po ndikon së fundi sipas aktorëve kryesor të tregut të këmbimit valutor janë edhe flukset e turistëve. Ata argumentojnë se duke qenë qarkullimi i lekut në minimum dhe shpenzimet e ulëta, flukset e valutës prej turizmit reflektohen në kursin e këmbimit.

Tendenca rënëse e euros pritet të vijojë gjatë gjithë verës. Ekspertët argumentojnë se kjo do të jetë tendenca e euros duke qenë ecuria do të ndikohet edhe prej efekteve sezonale.

Rënia e euros gjatë ditës së sotme është ndikuar dhe prej nivelit të këmbimit të monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Sipas kursit të këmbimit të Financial Times një euro po këmbehet me 1.18 USD.

Ndryshe nga euro, dollari amerikan ka nisur të fitojë pikë përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar u këmbye sot me 106.86 lekë, rreth 0.26 pikë më shumë se një ditë më parë. /Monitor