“Mallkimi” i heronjve të Gjermanisë, kush i dha Botërorin, e pësoi keq…

Nga parajsa, në ferr. Kështu mund të cilësohen të paktën 4 yje të futbollit të kombëtares gjermane ndër vite, të cilët pasi i dhanë Kupën e Botës, përfunduan si mos më keq.

MARIO GÖTZE – Pasi vendosi finalen kundër Argjentinës më 2014-n, Gotze në Bundesliga ka shënuar vetëm 15 gola në 4 vjet. Në fillim u la në stol nga Guardiola, pastaj kritikat e tifozëve të Bayern që nuk donin rikthimin e tij, më pas disa dëmtime, një sëmundje dhe në fund stoli me Stöger.

Nga mosha 18 deri 21 vjeç ai shënoi 32 fola në kampionatin gjerman, ndërsa nga 21 deri në 24, më pak se gjysma e tyre, 15 gola.

Mario nuk është më ai i dikurshmi. Dhe trajneri nuk e grumbulloi në Botërorin e Rusisë, duke konfirmuar krizën e një prej talentëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë Gjermania.

HELMUT RAHN – Gjermania e fitoi për herë të parë Kupën e Botës në Zvicër në vitin 1954. Me mrekullinë e Bernës, që është bërë edhe film, gjermanët arritën të fitojnë ndaj Hungarisë së Pushkashit 3-2, edhe pse ishin në disavantazh 2-0.

Dy nga tre golat, përfshi atë vendimtarin, i realizoi Rahn. Që nga ai moment erdhi rënia drastike e karrierës së tij.

Shumë alkool, shumë probleme. Në vitin 1957 u ndalua duke ngarë makinën në gjendje të dehur. Kundërshtoi policët duke i sulmuar ata. Në vitin 1960 e përsëriti veprimin dhe përfundoi për një muaj në burg.

GERD MÜLLER – Në vitin 1974 golin vendimtar e shënoi Gerd Müller. Në fushën e lojës “Bomber der Nation” arriti ende të bëjë diçka.

Pasi kishte shënuar të paktën 30 gola në 5 nga 6 kampionatet e fundit para Botërorit, edhe pse nuk e humbi nuhatjen e golit, nuk i kapi më shifra të tilla me 23, 28 dhe 24 gola përkatësisht në vitet pas Kupës së Botës 1974.

Edhe ai pati shumë probleme me alkoolin dhe u largua nga Bundesliga për të luajtur në SHBA.

ANDY BREHME – I fundit nga gjermanët që kishte vendosur Kupën e Botës para Götze ka qenë Andy Brehme, i cili shënoi penalltinë e fitores kundër Argjentinës në vitin 1990.

Më pas ai fitoi Kupën UEFA me Inter dhe kupën dhe kampionatin gjerman me Kaiserslautern, por edhe ai u përball me vështirësi. Disa vite më parë u ndal i dehur në timon dhe më pas rrezikoi edhe burgun, sepse u kap sërish duke i dhënë makinës dhe pse iu hoq patenta.

Para disa kohësh bënë bujë problemet e mëdha financiare, që e penguan të shkonte edhe te festa e organizuar nga Federata Gjermane e Futbollit në vitin 2015, për të festuar 25-vjetorin e suksesit në “Itali ‘90”.

Ndoshta nuk donte të kujtonte dhe të festonte. Ai është goli që të çon në parajsë, por që në të gjitha rastet për gjerman shërben si një korridor drejt ferrit…