Mërgim Mavraj pritet të lërë Gjermaninë, ofertë nga Arabia…

E ardhmja e Mërgim Mavraj është larg Hamburg dhe Gjermanisë, por me sa duket edhe larg Europës. Mbrojtësi ka marrë një ofertë tunduese nga një skuadër në Arabinë Saudite.

“Vip Sport” bën me dije se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është në bisedime me klubin Al-Ettifaq FC, për të vazhduar atje karrierën e tij.

Bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe brenda pak ditësh, mbrojtësi, i cili këto ditë gjendet në Kosovë, mund të finalizojë një marrëveshje me këtë klub.

Al-Ettifaq është një skuadër e cila dikur ishte ndër më të njohurat në Arabinë Saudite, duke fituar trofetë më të rëndësishëm në vend e rajon, por prej rreth 2 dekadash nuk ka mbyllur sezonin me trofe.

Klubi që mbylli kampionatin në vendin e katërt, kërkon të kthehet te lavdia e dikurshme dhe Mavraj bën pjesë në planin për përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.

Me situatën që kaloi te Hamburg, Mavraj e ka thuajse të pamundur që të gjejë një skuadër në elitën e futbollit gjerman.

Ndaj mbrojtësi 31-vjeçar po kërkon një eksperiencë të re për herë të parë në karrierën e tij jashtë Gjermanisë, ku aspekti financiar do të ketë rëndësi, pasi mendohet se është kontrata e fundit afatgjatë që do të nënshkruajë.

Pritet që Hamburgu të kërkojë një shifër modeste për ta lënë të lirë lojtarin i cili është jashtë planeve të klubit edhe në Bundesligën 2.