Në kalanë e Mbretëreshës ilire- Teuta

Shkruan: Gazmend Çitaku

Fotografitë: Gëzim Mavriqi, Sami Flamuri

13 maj 2018. Ditë e diele. Moti jo shumë i keq nga pak bie shi por plani që kemi bërë për të vizituar Kalanë e mbretëreshës ilire Teuta në Rrizanë (Rhizon, Risani i sotëm) duhej zbatuar. Kësaj radhe duke ndjerë vështirësinë e pushtimit të kësaj pike historike shumë domethënëse për të gjithë ne vendosëm që të nisemi pak më heret se zakonisht. Unë, Indrit Çitaku dhe Gëzim Mavriqi u mblodhëm në shtëpinë e Sami Flamurit ku nënë Naxhija na priti me ëmbëlsira e kafe. Ndërruam disa llafe, pimë kafetë dhe u nisëm për në aventurën e re. Rrugës na përcillte një shi i lehtë dhe sa më shumë që afroheshim destinacionit qielli vrëntohej më shumë. Me një bisedë të këndëshme arritëm në Kotor ku na priti kolona e veturave dhe bllokada e qytetit për shkak të disa aktiviteteve sportive që organizoheshin atë ditë. Ngadalë dolëm nga tollovia dhe u nisëm drejt Rrizanës (Rhizon, Risani i sotëm), sa delte dielli pas disa minutash vrënjtohej dhe fillonte të binte shi. Samiu na jepte kurajo duke thënë se këto janë lotët e gëzimit të Mbretëreshës Teutë se në vizitë ishin nisur nipat ilir nga Ulqini. Është e vërtetë 2300 vite kanë kaluar e nuk kishte shkuar askush nga pasardhësit ilir në këtë fortifikatë, në të vërtetë arkeologu ynë nga Ulqini, Anton Lulgjuraj ishte i vetmi që dinim ne se ishte ngjitur në kodrën e Gradinës, vendin ku gjendej fortifikimi dhe ate disa vite më parë kurse sot ne katër ishim të parët që në mënyrë të organizuar shkonim në vizitë mbretëreshës sonë.

  • Gazi a të kujtohet se si na i hapte rrugët Mara Kastrioti para pothuaj 20 ditësh. Kam një ndjenjë se edhe sot do të na ndodhë e njejta gjë. Shtigjet do hapen vetvetiu – tha Samiu.

Duke biseduar e qeshur arritëm në Risan. Parkuam veturën përballë qendrës arekologjike ku gjendej mozaiku i famshëm i Risanit. Dolëm të katërt dhe u futëm brenda që të mahnitemi me bukuritë e Hyjit Hipnos si dhe mozaiqeve tjera. Vajza e cila punonte aty na u drejtua në gjunën angleze, gjithashtu edhe ne iu përgjigjëm në të njejtën gjuhë. Për çështje kuroiziteti na pyeti se nga vinim. Ne u përgjigjëm nga Ulqini. Filloi të qeshet dhe konstatoi se ne njihnim edhe gjuhën e saj amtare dhe zyrtare të Malit të Zi, pra gjuhën malazeze. Bileta kushtonte 3 euro, por kjo nuk paraqite pengesë për ne. U futëm brenda. Para nesh u shfaqën pesë dhoma – komplekse ku dyshemetë e të cilave ishin të stolisura me motive të ndryshme të mozaiqeve. Normalisht së pari ne morëm menjëherë anën e majtë nga hyrja dhe shkuam drejt mozaikut më të bukur ku paraqitej Hyu Hipnos e që sipas njerëzve kompetent krahasohet me bukuritë e mozaikut në pallatin e Hadrianit. Bëmë fotografitë e nevojshme dhe me përshtypjet më pozitive dolëm nga aty. Nuk hezitova ta pyes vajzën se a është e vështirë të shkohet deri në fortifikatën e mbretëreshës ilire Teutë.

  • Jo nuk është e mundur. Nuk ka rrugë dhe ka shumë gjarpërinj. Madje edhe shtegu i ngushtë për momentin është i pa kalueshëm për shkak të ferrave – tha vajza.

Me mirësi e buzëqeshje u përshëndetëm me te duke e siguruar se mbretëresha Teutë ishte duke na pritë tash 2300 vjet kështuqë rrugët janë të hapura nga momenti që jemi nisur nga Ulqini. U nisëm tatëpjetë. Anton Lulgjuraj na kishte dhënë udhëzimet: kur të mbrrini te kisha ndaloni. Merrni rrugën e kalldrëmuar dhe përbri shtëpisë së vjetër gjeni shtegun ku kalon një përrockë (i cili për momentin ishte tharë) mbani anën e majtë dhe do gjeni shtegun të cilit duheni t’i përmbaheni sepse rrugë tjetër nuk ka për të mbrrirë lart. Gjithesei keni shumë kujdes nga gjarpërinjt e shumtë na kishte porositë edhe ai.

Ndaluam dhe për fat të keq në vend se të merrnim rrugën e kalldramuar nën kishë ne vazhduam këmbë drejt të ngjitemi. Filloi të bie shi e për çudi vetëm kodra e Gradinës ku gjendej fortifikata e Teutës shëndriste nga rrezet e diellit. Gëzmi çuditej nga kjo dukuri kurse ne ishim aqë të entuziazmuar saqë nuk e dallonim fortifikimin në anën tonë të majtë. Duke bredhur nëpër bukuritë natyrore që na shfaqeshin dhe duke u fotografuar kërkuam ndihmën e një kalimtari të rastit. Ishte një plak pensionist i quajtur Radoman i cili na tha se përveç kalasë në Gradinë (aty ku ne ishim nisur) në këtë anë tjetër fortifikim nuk kishte. Kërkuam ndihmën e Antonit prapë. Na tha të kthehmi mbrapsht dhe të gjejmë rrugën e kalldramuar që ishte te kisha. Në të kthyer urdhërova që të ndalej vetura dhe të dilnim jashtë që të katërt. Nga kjo pikë si në pëllëmbë të dorës shihej fortifikata e mbretëreshës sonë ilire Teuta të cilës i binin pingul rrezet e diellit.

  • Ja ku është miq, nga dëshira e madhe dhe entuziazmi nuk arritëm ta shohim – thashë unë.

Samiu u mahnit me pamjen dhe filloi të lakoj emrin rreze dhe e vinte në lidhje me emrin e Risanit apo siç quhej në antikitet Rhizon. Fjala Rrezon (rrezet e diellit, rrezon dielli) ishte shumë e përafërt me emrin e Risanit madje edhe rrzet e diellit si binin në fortifikatë shumë lehtë të bënin të vije në këtë përfundim por që unë parapëlqeja më tepër togfjalëshin Rri+zanë=RRIZANË (vendi ku rrinë zanat).

U nisëm drejt cakut të identifikuar. Ndaluam pranë kishës,  gjetëm rrugën e kalldramuar, kaluam përbri shtëpisë së vjetër. Aty na doli gjyshe Danica (Yllmëngjesi) e cila ishte shumë e mirë dhe me çudinë e saj shumë të madhe se si disa ulqinakë kishin interes për këtë fortifikatë të harruar nga të gjithë kishin mbërritë në oborrin e saj. Pasi na ofroi kafe na tregoi dy shtigje se si të mbërrijmë lart të parën pak më të mirë por tha: mos shkoni atypari sepse aty gjendet një qen i rrezikshëm i cili kishte kokën sa të një ariu por shkoni nën atë shtëpi në mënyrë që ta anashkaloni qenin dhe pastaj merrni atë shteg i cili ju çon drejt e në fortifikatë.

Gjyshja në pak minuta na tregoi për rrënjët e saja ilire dalmate, na tregoi se kishte punuar si mami në spital ku kishte ndihmuar edhe disa nëna tona ulqinake dhe se kishte pritë në jetë shumë fëmijë nga Ulqini, tregoi se ishte ngjitur lart pa numër herë, njëqind herë na porositi të kemi kujdes gjarpërinjtë dhe se kjo që po na shihte ne sot ishte çudia e saj më e madhe. Ndenji gjyshe Danica duke na udhëzuar majtas djathtas deri sa ne u zhdukëm nga pamja e saj madje edhe kur nuk na shihte më e ndjente si obligim të na lëshonte nga një zë: Mbani anën e rrjedhës së përrockës, a dëgjoni.

Zemra filloi të rrihte më shumë, kaluam pengesën e parë, qenin me kokë të madhe sa të ariut. Takuam tre punëtorë-krahu prej të cilëve njëri ishte me ngjyrë. U përshëndetëm me ta dhe unë i zgjata dorën afrikanit duke e pyetur nga vinte. Ishte Sudanez në ndërkohë para nesh u shfaq një vajzë e re rreth 22-23 vjeçe e cila ishte përgjegjëse aty. I treguam ku jemi nisur dhe për çka. Ishte kjo Bojana e cila na tha se me kënaqësinë më të madhe do vinte me ne por që është në orar të punës por që do të na e tregoj një shteg më të lehtë nëpër të cilin ajo e dinte mirë dhe e kishte kaluar me qindra herë sepse ishte vendase. Ne filluam të shkojmë pas Bojanës e cila mundohej të na jepte informata rreth vendit, na tregonte shenjat që duhej të përcillnim, të tregoheshim të kujdesshëm për shkak të gajrpërinjëve pasi që kishte shumë dhe kur të ktheheshim na tha të shkonim një shtegu tjetër se do të mbërrinim më shpejt ke vetura ku ishim parkuar.

Bojana na printe shtigjeve e rrugicave madje kaluam nëpër disa oborre shtëpish të braktisura dhe na çoi deri në pikën prej nga nuk do të mund të dilnim nga shtegu. Aty unë nxora librin tim Tregime të çuditshme nga Ulqini dhe duke iu falënderuar ia dhurova. U gëzua shumë dhe tha se e donte Ulqinin shumë. Pra, gjaku ilir edhpse i përzier tashmë, prapë tërhiqte nga Iliriku, prapë e tërhiqte nga mbretëresha e saj ilire Teuta andaj edhe na ndihmoi pa përtesë dhe ndjente kënaqësi se na kishte treguar rrugën e duhur.

Teutë mjaft prite 2300 vite ja ku jemi rrëzë fortifikatës tënde.  Filloi ngjitja, unë u prija tashmë, pasonte Indriti, Samiu dhe i fundit Gëzimi sepse bënte fotografi. Shtegu ishte pak i vështirë ngaqë kishte ngjitje konstante. Shkonim pas shenjave të kuqe vendosur nga bjeshkatarët, gjarpëronim shtigjeve të dhive ku lehtë dalloheshin edhe gjurmët e tyre të lëna pas. Ngjitja vazhdoi për më shumë se gjysmë ore rrugë thikë tatëpjetë, pamjet në Gjirin e Teutës ishin mahnitëse. Askush nuk bëzante deri sa nuk iu afruam murit rrethues në 20metra. Vendosëm që të ulemi të pushojmë pak, moti ishte i përkryer, ideal për një ngjitje të tillë të vështirë, na deshi fati që para një ore kishte rënë shi dhe nuk ishte shumë nxehtë. Kur u ngjitëm në maje të kodrës madhështore para nesh u shfaq fortifikata. Vëreheshin gjurmë të gërmimeve, lidhja e mureve ishte tipike ilire. Ky vend nuk është i njohur vetëm përmes Agronit e Teutës por këtu kohë më parë janë gjetë edhe monedhat ilire me kokën e mbretit Ballaios e që do të thotë këtu ka mbretëruar edhe një mbret ilir të cilin historia e njeh më pak. Tani shihnim atë që mbretëresha Teutë shikonte para 2300 vitesh. Ajo kishte hapur shtigjet për ilirët e saj ulqinak, ajo kishte dërguar të gjithë ata njerëz vetëm e vetëm qe ne të shkojmë te ajo pa pengesa. U lëshuam të gjithë në eksplorim, njëri majtas tjetri djathtas, njëri poshtë tjetri lart. Të gjithë ishim në trans, pamja që shtrihej në Gjirin e Teutës (Gjiri i Kotorit) ishte mëse mbresëlënëse.

Samiu si gjithmonë kyçet në rrjetet sociale dhe fillon transmetimin për së gjalli të video-xhirimit të vendit ku ndodheshim. Normalisht gjatë xhirimit mundohej që shikuesve tu tregojë ku ndodhemi, dhe për çka ishim aty dhe të gjithë këtë përcjellë me një histori të shkurtër ashtu siç i kujtohej atij dhe bashkëbiseduesve. Ngaqë ka të tillë që përtojnë të lexojnë këto blic informata janë shumë domethënëse. Përsëris: Teuta gruaja e mbretit ilir Agronit, udhëhoqi shtetin ilir të Ardiejve nga viti 231 – 227 p.e re. Ky shtet shtrihej që nga Ishulli Vis (Isa) në Kroaci duke përfsirë, Risanin, Ulqinin, Shkodrën, Lezhën e deri në Durrës. Ngaqë sipas ligjeve ilire sulmi dhe plaçkitja e anijeve tregtare të vendeve tjera, për derisa i paguanin shtetit taksat e obligimet nga kjo veprimtari, ishte e lejueshme. Mirëpo kjo dukuri ishte shqetësuese për Perandorinë Romake dhe kjo u shfrytëzua si shkas për fillimin e luftës së Parë iliro-romake. Mbretëresha Teutë humbet luftën pasiqë disa nga gjeneralët e saj e tradhëtuan dhe sipas legjendës lokale që tegohet sot e gjithë ditën në Risanin e saj thonë se ajo për të mos rënë në duart e romakëve kërcen nga fortifikata e saj në shpellën nëpër të cilën kalonte lumi nëntoksorë dhe mbytet. Duke parë anijet e panumërta të romakëve dhe ushtarët e pafund armiq në momente e fundit të jetës së saj ajo mallkon edhe Risanin duke lëshuar nëmën e mospasjes kurrë të anijeve, dhe vendasit edhe sot i besojnë kësaj nëme dhe thonë se i vetmi Risani nuk ka anije e as port dhe kjo është rezultat i nëmës së Mbretëreshës ilire Teuta.

Unë hyra brenda dhomave ku ishin kryer gërmimet, hasa në disa eshtra e që të lenin të mendosh se ato ishin therrë për flijime të ndryshme, pasiqë nga dheu shiheshin ende copa eshtrash. Por, me aqë sa unë kam njohuri nuk ishin njerëzore. Koha kalonte dhe ashtu edhe ne udhëtonim nëpër kohë, në një moment gjatë fotografisë kolektive Samiut i erdhi një vrull dhe  me sa zë kishte thirri emrin e Teutës. Besojmë se ajo na ndjeu dhe u kënaq me praninë tonë aty. Ne çuam edhe një amanet në vend: Kujtuam në shtëpinë e saj më të madhen dhe të papërsëritshmen mbretëreshën ilire Teuta. Tanimë filluam të zbresim kodrës, ndoshta nga emocioni por aqë lehtë uleshim athua se zbrisnim shkallëve. Komentet pozitive, në një moment në gurët që kishin rënë nga muret lartë mua më dukej se njëri kishte disa zbukurime, u ndala ta analizoja por nuk isha i sigurt a janë bërë nga dora e njeriut apo nga natyra. Andaj vendosa të vazhdoj rrugën kurse arkeologëve dhe njerëzve kompetent tu lija gurët, muret dhe të gjitha tjerat që t’i hulumtojnë.

Sipas kodit të mirësjelljes para se të shkojmë ke vetura iu lajmëruam gjyshe Danicës dhe iu falënderuam për udhëzimet që na kishte dhënë e ajo ashtu siç janë të gjitha gjyshet e mira na ofroi të gjitha të mirat e shtëpisë së saj por ne u mjaftuam me ujë burimi që buronte aty pranë. E pimë këtë ujë me shumë kënaqësi së pari se ujin tonë e kishim mbaruar të gjithin dhe së dyti ishte ujë nga burim ku ndoshta edhe mbretëresha Teutë do të ketë pirë ujë. Me këto mendime u ndamë dhe u përshëndetem nga gjyshe Danica dhe u nisëm për në Ulqinin tonë ku duhej mbërrirë para territ. Para se të niseshim Samiu kontrolloi videon, për një orë e kishin parë mbi 1200 vetë e kjo na tregonte se tema ishte e qëlluar.

Duke shpresuar që këto vizita, që kemi bërë në një afat kohor prej tri javësh kemi pasqyru tri periudha kohore (antikitetin, mesjetën dhe koha e re) dhe tri personalitet të rëndësishme për historinë tonë kobëtare (Mbretëresha Teutë, Mara Kastrioti dhe Isa Boletini), të shndërrohen në dokumentarë të ardhëshëm të realizuar në mënyrë profesionale do shlyhet një borxh i madh që kemi ndaj paraardhësve tanë por edhe për brezat që vijnë.

Në Ulqin arritëm në ora 22, pothuaj 12 orë eksplorimi të gjithë plot emocione dhe të realizuar si shpirtërisht ashtu edhe mendërisht. Vizita të këtij lloji u dëshiroj të gjithëve që kanë shpirt aventurieri kurse të tjerëve u dëshiroj shikim të këndëshëm të videove që postojmë. Ju falem me shëndet.

Gazmend Çitaku, Ulqin, më 15.05.2018