Opozita kërkoi dorëheqjen e tij/ Xhafaj: Do jem në këtë mision. As Rama s’ma ka kërkuar!

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ditën e sotme në konferencën e jashtëzakonshme me gazetarët, deklaroi se do të vijojë të mbajë detyrën që ka.

“E kuptoj, që shumë janë të frikësuar nga çfarë po ndodh me Reformën në Drejtësi dhe me punën dhe rezultatet që po arrin Policia e Shtetit. Por, dua t’i garantoj të gjithë këta, se edhe nëse unë dje do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të mi, nga partnerët ndërkombëtarë, nuk mundet të zhbëhet. Shumë shpejt edhe SPAK e BKH do të jenë në funksionim.

Kështu, gjithnjë e më shumë, krimi do të humbasë terren. Unë jam këtu për ta përmbushur sa më mirë këtë mision që kam marrë përsipër. Dje si ideues dhe drejtues i procesit të Reformës në Drejtësi dhe sot si Ministër i Brendshëm.

Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni. Thjesht nuk kam frikë! Askush nuk mund të më shantazhojë. Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta, të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve. Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për mesazhet e shumta mbështetëse dhe inkurajuese që kam marrë prej tyre këto ditë”, tha Xhafaj.

Pyetjet nga gazetarët për Xhafajn:

Si e keni vërtetuar që ai audio-përgjimi është i rremë?

Kam bërë vlerësim të asaj audio me agjenci ndërkombëtare, me përgjigjjen e të cilës jam njohur dje, dhe sot jam këtu për ta thënë këtë.

Keni menduar dorëheqjen? Unë mendoj se ju realisht nuk keni përgjegjësi morale për vëllanë. Por a kanë përgjegjësi edhe ata policë që u kërkohet në formular nëse kanë të afërm të dënuar?

Në asnjë rast… Në asnjë rast nuk kam menduar të jap dorëheqjen për këtë shkak, do të jepja në raste të tjera që nuk kam qenë në shërbim të qytetarëve. Nuk ma ka kërkuar asnjëherë dorëheqjen as kryeministri.

Pse u dorëzua sot dhe jo më parë vëllai?

Besoj se shpjegimet ai i ka dhënë vetë sot në letrën e bërë publike.