PD nxjerr videon e dëshmitarit X: Me Agronin kam punuar me drogë, por jam i ndershëm

Kreu i PD-së Lulzim Basha, i ndjekur nga deputetët Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe eksperti ligjor Gazment Bardhi, doli në konferencën e jashtëzakonshme të paralajmëruar nga Partia Demokratike.

“Që pas publikimit të provave, Rama dhe Xhafaj në bashkëpunim me Prokurorinë, në bashkëpunim me struktura kriminale kanë vënë në lëvizje një skenar kriminal: 1- Moho përgjimin, 2- kap, josh ose likujdo dëshmitarin dhe familjen e tij, 3- Shkatërro provat, 4- Kërcëno opozitën. Ky skenar ka dy qëllime. Qëllimi i parë, mbrojtja e Agron Xhafajt.

Qëllimi i dytë është shpëtimi i Fatmir Xhafajt nga krimi i vëllait të tij duke mos e larguar nga posti i ministrit. Agron Xhafaj nuk është ndaluar nga policia kufitare. Ai u përcoll në Itali pasi qëllimi është për të krijuar alibi se pse nuk e arrestojnë dot dhe nuk e procedojnë dot për trafikuan aktual të drogës. Policia e Xhafajt dhe Prokuroria po ushtrojnë terror ndaj familjarit X. Presion dhe terror po ushtrojnë edhe figurat e krimit të organizuar dhe ushtarë e bashkëpunëtorë të Xhafajt. Qëllimi është komprometimi dhe shkatërrimi i provave ndaj Agron Xhafajt”, tha Basha.

Pas kësaj, PD ka nxjerrë videon ku flet dëshmitari

Pjesë nga dëshmia:

“Albert Veliu, 51 vjeç, jetoj me rrogën e djalit. Kam qenë në Itali, kam punuar. Në 2000 jam shkëputur në Itali, kam punuar me Agron Xhafajn, me kokainë me të gjitha gjërat.

Kam qenë shoqërues gomoneje. Hoqa dorë, s’e përballoja dot atë gjë. Agronin e njoh me anë të një mikut tim, me anë të lidhjeve të punës në Itali. Komandonte punët, ai e merrte, ne e shisnim.

Në 2005 ndodhi një aksident dhe kryeva dënim prej 7 vjetësh, akuzohesha për kokainë për 12 kg. U kapa në Peskara, e bëra dënimin aty, në shkallë të parë, mora 15 vjet, apeli ma la 8 vjet. Nga Agroni, më ka mbetur qejfi, kur rashë brenda nuk më solli një paketë cigare për aq sa kishim bërë.

Kur dola nga burgu, e takoj, më ofroi një punë për djalin, kamarier, në 2016. Djali është 22 vjeç, punoi kamarier 6 muaj, por e hoqën. Para 5-6 muajsh, flasim e i kërkova të më bënte një nder, për të hedhur barishte për në Itali, hashash, ta çonim në Itali, i kërkova një favor më prezantoi me këtë Ermalin, ia kërkova se isha në gjendje të keqe ekonomike, e vura në provë sa korrekt qe për mua si Albert. I kërkova nderin, por nuk i bëra këtë rrugë, e vura në provë për ta zhveshur se cili është Agron Xhafaj.

Ai komandon Vlorën, ai atë punë ka bërë tërë kohën, më bëri favor, sille këtë çantë ta hedh matanë, unë e njihja, nuk e njoh sot. Më prezantoi me Ermalin, nuk e di çfarë është, shef kufiri a çfarë, mbiemrin nuk mund ta pyes. Me atë jam ulur në tavolinë.

Por unë nuk e bëra. Dua të jetoj me djersën e ballit, të ha një copë bukë, thjesht e vura në provë. E dija që punon e bën, është korrekt, e saktë, të ndihmon të hedhësh mallin në Itali, të ndihmon, më çoi te Ermali, me nofkën Nake.

E bëra vënien në provë se ashtu më la në baltë, kur isha brenda, i ktheva kurrizin tani e s’dua të merrem me asnjë gjë. Kështu janë gjërat, si ja bën një njeriu ashtu e pëson, sot ai është dikush, unë jam pa bukë në shtëpi.

Me drejtorin e Vlorës bëhej shumë, me shefin e kufirit ca të them, punët e tyre…

Ai do më siguronte transportin, gomonen ata e kishin se unë ku e gjeta, unë jam hallexhi. Gjërat ishin të zgjidhura, s’kisha frikë nga policia se rrugët ishin të hapura.

Agroni më tha, kur të vijë dita, do takosh Ermalin. Atë ditë që u bëmë gati për rrugën u bë qameti në Vlorë, pati përmbytje. Deti ka qenë 7-8 ballë, qameti, nuk vazhdohej më tej.

Tani që doli përgjimi këto ditë, që ditën e parë madje, më thotë djali jam bërë figurë e njohur në Vlorë. E dëgjon im bir, i kishte thënë shoku i Agronit, shikoje se babai jot është bërë figurë e njohur në Vlorë, vetë ta shikojë se s’marr vesh nga këto telefona me gishta, më thotë pronari i djalit, shoku i përbashkët, ja zëri i babait.

Sot i kishin vajtur djalit te puna, shefi i krimeve, e Alketi, do ta kalojmë në mbrojtje.

Unë s’kam bërë gjë, unë jam fukara, më pikon shtëpia, nuk dua mbrojtje nga ai dhe shteti, nuk kam frikë, se nuk kam borxh, ça borxhi kam, ça kanë në plan, le ta bëjnë, të më vijë mua shefi i krimeve të më mbrojë për ça le ta thotë, kush, ku doli emri im, nuk është shpallur emri im, nga e mësuan këta? Ato që kanë qenë në përgjim, të Agronit apo dikujt tjetër, nuk e di, Agroni është vetë i vetëdijshëm.

Fillime të tjera s’kam bërë unë, i ka bërë vetë Agroni, aty janë, me dashje, pa dashje i ka bërë vetë ai, nuk di unë, ça bën Agroni dhe akuzon Andonin, ato janë fakte reale, si zëri që ne kemi folur, gjithmonë e ha një fukara, jo i pasur.

Zëri i atij, zëri im, zëri i Ermalit dhe Altinit, nëse ka ndonjë tjetër, mund të jetë dhe i plakut tim në varreza, çoje ku të duash për vërtetësinë, ai zë është. Kur e pashë te djali, këto folje që u bënë dhe doli, të gjitha çfarë kemi bërë thashë, ç’ne këto përgjime.

Agronin e kanë përgjuar të tjerët, nga ka ardhur kjo, e gjen ai vetë, nga kanë ardhur përgjimet.

Kush të ka urdhëruar ty të vesh te im bir, një shef i madh i ka dhënë urdhër, ç’ne, emri im, ku dihet që jam unë i filtruar nga… ai është filtruar.

Ça lidhje ka emri im në atë mes? Nuk e mohoj bisedën reale, nuk e mohoj, por ku është përgjuar, zotëria e di. Unë nuk di të përgjoj, jam hallexhi, ato i di ai që merret me shtet.”