“Për ne është një çështje jetë a vdekje”: Intervista e Ramës për anëtarësimin në BE

Komisioni Evropian është i gatshëm të ofrojë perspektivën e anëtarësimit në BE në gjashtë shtete të Ballkanit, mes rritjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon, Shqipëria synon të bashkohet me bllokun së bashku me fqinjët perëndimorë të Ballkanit, Serbinë, Malin e Zi, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Bosnjën dhe Kosovën – shumica e të cilave ishin zona të luftës pas shkatërrimit të Jugosllavisë në vitet 1990.

Megjithatë, mosmarrëveshjet nga e kaluara dhe nevoja për reforma janë ndër çështjet që duhen zgjidhur përpara se BE-ja të “hapë krahët” e saj për anëtarët e rinj të mundshëm.

Shqipëria, së bashku me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ka fituar mbështetjen e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Të enjten, në një takim të Ballkanit Perëndimor në Sofje do të diskutohen kushtet e tyre të pranimit.

Media ndërkombtare Euronews ka intervistuar kryeministrin Edi Rama.
Ja se çfarë ka thënë kryeministri Rama lidhur me këtë çështje:

Intervista

Efi Koutsokosta, Euronews:

“Serbia dhe Mali i Zi, të cilat konsiderohen si vende që kanë përparësi në integrim, mund të bashkohen me BE-në deri në vitin 2025. Kjo është koha kur mendohet të hyjnë, nga sa ështe thënë: Po për sa i përket Shpipërisë?”

Edi Rama:

“Sot, po, Serbia dhe Mali i Zi po negociojnë dhe prandaj ata janë përpara nesh në këtë proces. Por në 2025-n ka një hapësirë ku të gjithë ne mund të jemi gati nëse punojmë shumë dhe bëjmë punën tonë.”

Efi Koutsokosta:

“A keni nevojë për një datë për të inkurajuar popullin tuaj që të ndjekë të gjitha reformat e nevojshme?”

Edi Rama:

“Jo, nuk kemi nevojë për një datë për të inkurajuar popullin tonë, ne duhet të hapim negociatat në qershor, kjo është e gjitha, ne nuk duam asgjë tjetër, dhe për ta bërë këtë, Evropës nuk i kushton asgjë, ata nuk do të paguajnë asnjë cent. Ndërsa për ne kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne jemi më në fund drejt së ardhmes dhe larg së shkuarës.”

Efi Koutsokosta:

“Ka disa sfida të tjera që BE-ja është duke paraqitur. Z. Juncker kohët e fundit tha se ende ka krime të organizuara dhe se ai nuk dëshiron të importojë këtë lloj situate në Evropë.”

Edi Rama:

“Para së gjithash, ne nuk prisnim që Presidenti Juncker apo dikush tjetër të na tregonte se ka ende një luftë të madhe për t’u bërë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe shumë gjëra të tjera. Por është më e thjeshtë…ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave dhe drejtuesit e Komisionit,- i cili është një grup shumë i rreptë ekspertësh, që merren me fakte dhe jo me lajme të rreme – na ka dhënë një rekomandim pozitiv pa kushte.

Por, për t’i ndarë vendet- në vende me krimin dhe vende që nuk kanë krim, është një detyrë pak e ngarkuar dhe e rëndë. Nëse ekziston një krim i organizuar evropian, ky është një krim i ndërlidhur dhe ne duhet ta luftojmë atë së bashku.”

Efi Koutsokosta:

“Duke folur për sfidat e brendshme, dua të flas për një çështje shumë të ndjeshme për BE-në, e cila është liria e mediave. Dhe kohët e fundit ka pasur një raport nga “Reporterët pa Kufij”, duke folur për gazetarët, ku 80% e tyre ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe gjithashtu ‘të ekspozuar ndaj fyerjeve’. Ata thonë se ju i keni quajtur gazetarë kazan plehrash, helm dhe armik publik’. A është ky mendimi juaj për gazetarët e vendit tuaj?”

Edi Rama:

“Unë kurrë nuk përpiqem të hedh poshtë se çfarë media mund të thotë, por kur them ‘kazan’ gjuhën shqipe, është njëlloj sikur të thuash këtu “fake news, pra lajme të rreme’, sepse kjo është mënyra e të thënit atje në Shqipëri e që këtu nuk përkthehet mirë. Kështu që kurrë nuk e kam fyer personalisht gazetarin, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Unë, natyrisht, shpreh mendimin tim për “mediat kazan/me lajme të rreme” dhe fatkeqësisht ne kemi shumë “media kazan” sot nëpër botë. Nëse ata kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre, kjo nuk do të thotë se unë nuk e kam këtë të drejtë.”

Efi Koutsokosta:

“Por i njëjti raport thotë gjithashtu se “standardet e rregullatores manipulohen në interes të qeverisë…”

Edi Rama:

“Kjo është një tjetër gjë e pakuptimtë, por nuk dua të flas rreth kësaj … Është gjithmonë e dyshimtë kur dëgjoni një kryeministër, një president apo një politikan që ju thotë se mediat janë duke gënjyer, por në ditët e sotme mediat po e bëjnë çdo ditë e më shumë këtë gjë. Pra, ky është problemi dhe unë e respektoj shumë solidaritetin ndërmjet mediave dhe “Reporterëve pa Kufij” ose kujdo tjetër. Ata bëjnë punën e tyre, unë bëj të miat.”

Efi Koutsokosta:

“Ne e dimë se në Ballkan ka shumë pakica shqiptare, sikurse edhe ne shtetet e tjera. Pra, a po e perceponi veten si udhëheqës të shqiptarëve, popullit shqiptar, apo jo?”

Edi Rama:

“Në kushtetutën tonë, ne kemi detyrimin për të mbrojtur shqiptarët jashtë vendit kudo, por në të njëjtën kohë mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më të mirë se sot, atje ku ata jetojnë, kështu që në Kosovë ata kanë shtetin e tyre tani. Në Maqedoni ata kanë bërë një revolucion të vërtetë në aspektin e ndryshimit të qasjes ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj popullit shqiptar. Në jug të Serbisë, shpresoj që kushtet e tyre do të përmirësohen, duke u bazuar edhe në faktin se serbët në Kosovë trajtohen shumë herë më mirë.”

Efi Koutsokosta:

“Por ju kohët e fundit keni sugjeruar se një ditë ju mund të keni një udhëheqës të përbashkët me Kosovën. Dhe kjo ka krijuar shumë reagime…”

Edi Rama:

“Më vjen keq për reagimet, por nuk kisha për qëllim të bëja një deklaratë tronditëse. Ishte thjesht një imagjinatë, në një ditë shumë të veçantë, në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Unë kam thënë se 20 vjet më parë, kjo ishte e paimagjinueshme dhe nëse dikush do të kishte folur për pavarësinë e Kosovës atëherë, do të kishte tronditur botën. Sot jemi këtu dhe çfarë do të ndodhë në njëzet vitet e ardhshme?

Dhe më parë le të themi: ‘Pse mos të kemi një president të përbashët?!”.
Ju thashë se dialogu me Serbinë duhet të kishte përfunduar me sukses, dhe se shqiptarët e serbët do të ishin anëtarë të Bashkimit Evropian. Pra, kishte shumë parakushte për të shkuar në pikën e një presidenti të përbashkët për të dy vendet.”

Efi Koutsokosta:

“A jeni pënduar për këtë deklaratë tani?”

Edi Rama:

“Jo.”

Efi Koutsokosta:

“Por ju e përjashtoni projektin e unifikimit të shqiptarëve në të ardhmen, apo jo?”

Edi Rama:

“Jo. Gjithmonë thashë se ëndrra ime është që ne të unifikohemi nën qiellin e Bashkimit Evropian dhe nuk kam ëndërruar kurrë për një “Shqipëri të Madhe”, sepse unë kam një ëndërr akoma edhe më të madhe: një Evropë më të Madhe, me shqiptarët brenda.”

Efi Koutsokosta:

“Ekziston një mendim se projekti i zgjerimit të BE u ringjall, sepse kishte praninë e madhe rusëve, turqisë dhe kinezëve në rajon. A mendoni se këto vende mund ta përdorin këtë rajon në mënyrë që të destabilizojë BE-në?”

Edi Rama:

“Po, është hapësirë që dikush duhet ta plotësojë, dhe është një hapësirë ​​që i takon Evropës, po ashtu edhe Bashkimit Evropian. Pra, Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësinë për këtë hapësirë ​​strategjikisht, sepse nëse ka hapësirë ​​bosh, do të jenë të tjerët që do të përpiqen të vijnë atje dhe ta mbushin atë.”