Përse çuditeni?

Ditët e fundit lexova një studim i cili cilësohej diku “tronditës”, diku “tmerr” e diku tjetër “lemeri”. Studimi tregonte se një pjesë e madhe e të rinjve shihnin “gjëra të papastra” në internet dhe më poshte tregohej se këto “gjëra të papastra” ishin filmat dhe videot +18 e edhe më poshtë, pasi kamuflohej sërish nga disa sinonime, ndjesë por tepër idjote, fjala “porno”. Por, përse çuditeni?! Nuk e dinit?!

Epo jua shpjegoj unë! E gjitha është për fajin tuaj! Kush jeni ju? Jua them unë!

Jeni ju që hartues planesh mësimore ku fshihni fenomenin e seksualitetit. Jeni ju mësues që keni turp të trajtoni çështjen e riprodhimit njerëzor (O Zot… turp i madh!). Jeni ju prindër, dhe ju jeni fajtorët më të mëdhenj! Ju më lehtësisht trajtoni një rrahje sesa një puthje. Më lehtësisht trajtoni një mbyllje në shtëpi sesa një dashuri. Më lehtësisht trajtoni një vrasje sesa një akt seksual.

Jeni ju, sidomos ju që keni vajza, që i çoni në shkollë, i kontrolloni telefonin, i kërkoni mësuesve t’ju thojnë çfarë bëjnë, ndonëse gjwrat çfarë bëjnë mund të mos kenë lidhje me mësimin (dhe mësuesit që ju tregojnë janë bashkëfajtorë!), jeni ju që i prisni pas derës kur mbaron mësimi dhe i jepni leje për të dalë, por i përgjoni nga pas ose i jepni vëllain me vete.

Pikërisht ju o të dashur prindër jeni ato që fëmijës i mohoni gjënë më elementare: Lirinë! Ju pranoni më lehtë që fëmija juaj të shohë filma të tipit “Sharra V” sesa filma të bazuar në libra bestseller! Ju i pranoni fëmijës tuaj të qaset në informacione mbi gjithçka çfarë nuk duhet në botë dhe i ndaloni t’i qaset kuptimit të njerëzimit, zanafillës së plotësisë dhe, edhe në rafshin teologjiko – fetar, pjesës së Zotit në tokë (Zoti është dashuri thuhet në Librat e Shenjtë).

U ndala gjatë tek ju dhe u kalova ngjitur mësuesve, por edhe tek ato do të ndalem. Edhe ato, “pridërit e dytë”, janë fajtorë. Është fajtor mësuesi i biologjisë i cili kur shpjegon mestruacionet u kërkon djemve të lënë klasën. Është fajtorë mësuesi i sicologjisë, bashkë me autorin e tekstit, që e kalojnë pa i kushtuar rëndësinë e duhur temës së seksualitetit. Është fajtor mësuesi i letërsisë i cili thotë se librat e Fatos Kongolit nuk janë të përshtatshëm për lexim.

Të gjithë ju… ju që tronditeni nga fakti se të rinjt shohin porno, ju jeni fajtorët dhe shkaktarët e kësaj gjëje. Kjo çfarë bëni ju është ekzaktësisht “Me të vra ditën e me të kja natën!”. Ju, ju që ju kullon nderi aq rrjedhshëm sa ju mbulon turpin. As mos u çudisni, as mos u lemerisni e as mos u tmerroni.

Mbi shpatullat tuaja mbani nderin e moralin, por mbi to duhet të vendosni fajin, fajin për këtë dukuri e cila është shumë më e rëndë dhe shumë më keqandjellëse sesa ato çfarë ju ndaloni!

© Andreas Dushi | Konica.al