Rrëfeu njohjen me Agron Xhafën, Albert Veliu rezulton i dënuar me burg në Shqipëri

Albert Veliu dëshmitari X, që rrëfeu sot të gjithë njohjen me Agron Xahfën dhe  se si ai kishte punuar me të në fillim të viteve 2000, rezulton se është i dënuar në Shqipëri. Policia në vitin 2013 ka njoftuar dhe ekstradimin  e tij.

Njoftimi i policisë në 16 gusht 2013

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskwagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.