Shqiptarët që frymëzojnë

Nga Igli Tola

Javën që lamë pas pata mundësinë ta kaloja në kryeqytetin francez, Paris si përfaqësues i studentëve shqiptar në Ministerialin e Arsimit të Lartë “EHEA 2018” në kuadër të proçesit të Bolonjës për të unifikuar dhe harmonizuar sistemet arsimore të vendeve, e gjitha në funksion të rritjes së mobiliteteve dhe fasiliteteve për studentët.

Ditën e parë teksa po nxitonim për të arritur në kohë ceremoninë e  hapjes në Universitetin e Sorbonës, u ndesha në stacionin e metrosë në një ‘city-light’ me faqen e parë të të përjavshmes “L’Express”. Më kuriozoi aq shumë kryelajmi “100 Français qui nous inspirent” (shqip: 100 francezë që na inspirojnë), saqë u stepa i përhumbur për një moment para saj. Megjithëse, mu desh ti bashkohesha grupit në nixtim mendja më mbeti aty.

Në një javë kaq të tensionuar politikisht dhe jo vetëm për Francën, një nga mediat më në zë zgjodhi t’ia kushtonte  ballinën e saj 100 francezë ‘të thjeshtë’?

Presidentin francez Emmanuel Macron, i zgjedhur majin e kaluar po kalon testin e parë të vërtetë. Konfederata Gjenerale e Travalit (CGT) kishte nisur një grevë kundër reformës në Legjislacionin e punës të propozuar nga qeveria e re. Kjo pasi sindikatat frikësohen se reforma e dëshiruar nga shumica e re mund të dobësojë pozitën e punëtorëve ndaj kompanive dhe në masë të madhe të zvogëlojë rolin dhe peshën e sindikatave të punënjësve. Ngjarjet mundësuan ‘paralizimin’ e Parisit, Marsejës, Lyonit, Toulouses dhe qytete të tjera me mbi 400 mijë njerëz në shesh. Mos të flasim për ‘plagët’ e kahershme të shoqërisë si: racizmi apo ‘valën’ e refugjatëve , që pasojat dhe reaksionet i shpalosin në çdo moment, që nga Shamp Elize-ja e deri në ‘qoshkat’ më të përhumbura të vendit. Një mendje naive do të mendonte se redaksia e “L’Express” ‘ka fjetur mbi dafina’ gjatë javës dhe iluzioni se vendi po përjeton një shkëlqim alla mbreti ‘Diell’ (Luigi XIV) i ka shtyrë drejt kësaj ‘aventure’ .

Një skedar i tërë  për 100 francezë që frymëzojnë, sepse punojnë për përsosmërinë franceze, që unifikojnë bashkëkombasit, që paraprijnë botën e nesërme, që veprojnë si ekselentë; për të vepruar, për të ngrënë më mirë, për të nxitur barazinë gjinore, për të mbrojtur planetin, për të qenë pioner e novator. Ndër rreshta lexohej ‘krenaria franceze’ kur thuhej: “100-at tona nuk rri duarkryq. Duke reflektuar një shumëllojshmëri në prejardhje, profesione, ndjeshmëri, origjinë, ata veprojnë.” Nuk  bëjnë gjykime, renditje, nuk ka asgjë për të fituar. Vetëm dëshira e mirë për të nxjerrë në pah gratë dhe burrat që kanë marrë ‘frerët’ e jetës në duar dhe po ecin përpara.

Asnjë politikan në listë (mos vallë ky një mesazh për kastën politike?). Mbase emra jo shumë popullor, jo shumë ‘celebrity’ si: Maxime de Rostolan, Angèle Ferreux-Maegh, Beena Paradin etj  që i janë përkushtuar gastronomisë, sipërmmarjes civile, shkencës; apo talente premtues në sport si Kylian Mbappè.

Ndërkohë, në Shqipërinë tonë fatkeqësisht nuk mbaj mend të kem dëgjuar apo lexuar qoftë edhe një ‘çerek’ artikulli për shqipëtar të suksesshëm. Jemi aq anakronik dhe ‘primitav’ saqë edhe kur mundohemi të ‘mburemi’ apo  të ‘rindezim’ patriotizmin mes shoqi-shoqit përmendim akoma Skënderbeun, Nënë Terezën, për të stopuar te Inva Mula (një ‘yll i shuar’ i Operas botërore.) Ndërkohë, vlerësimin për gjeneratën tonë e bëjmë duke përdorur si ‘etalon’ numrin e ndjekësve në Instagram, markat e veshjeve, apo vlerën e mjetit me të cilin sillen vërdallë në Bllok.

Përditë na serviren si ‘shembuj suksesi’ disa figura ‘anadollake’ pa kurfarë vlere e merite. Injorantët flasin me kompetencë për edukimin, imoralët për principet dhe moralin, ndërsa hajdutët dhe kriminelët gjykojnë punën e instancave legale. Të rinjtë shohin si ‘idhuj’ politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar, në mos më keq trafikantët apo shefat e ‘malavita’-s duke u joshur nga mirëqenia materiale e këtij ‘zullumi’.

‘Shembja’ e sistemit të vlerave është një trend global, por situata në vendin tonë është alarmante. Kujtohemi dhe krenohemi me ekipin kombëtar të futbollit vetëm kur luajnë në Europian. Mos të flasim për Ermal Metën, Dua Lipën apo Erën që vetëm kur pushtojnë ‘top chart’-et europiane ua dëgjojmë për herë të parë emrin. Janë pikërisht këto ‘heronjtë’ e ditëve tona, që mund ta frymëzojnë brezin e ri për të punuar, për tu larguar nga veset dhe rendur pas pasioneve dhe ëndrrave të tyre. Ti lëmë ‘legjionarët’ si Gjergji i Kastriotëve në pavionet e historisë dhe mos ti hiperbolizojmë dhe keqpërdorim, pasi do të na kthehet në efekt ‘boomerang’. Nuk janë budallenj francezët (apo çdo komb tjetër i civilizuar) që ‘artilerinë e rëndë’ si Napoleon Bonaparti dhe Gjeneral de Gaulle nuk i aktivizojnë vend-e-pavend.

Po qe se këto emra nuk mjaftojnë ka mijëra e mijëra të tjerë, që shkëlqejnë në fusha e tyre. Angjelin Preljocaj mahnit teatrot e botës me koreografitë e tij kontemporane, ndërsa Rene Rexhepi apo Eddie Feka lënë impresionojnë me pjatat plot fantazi klientët e restoranteve të tyre. Po ashtu, ka shqiptar si Endri Shabani (që pata rastin ta njihja nga afër gjatë punimeve të Ministerialit) që kontribojnë në shkencë duke punuar pranë një prej universiteteve më të mira në botë, Oxford.

Ndaj nëse e duam realisht integrimin europian, duhet të fillojmë të sillemi si të tillë. Në ADN-në e identitetit europian qëndron vlerësimi dhe respekti.Ti hedhim sytë nga shqiptarët që realisht inspirojnë, që e gjithë shoqëria të fillojë të aspirojë progres dhe ndryshim.