Si e ruajnë gjuhën shqipe arvanitasit?

Nga Besmir TOÇILA

Elementi kryesor i cili dallon arvanitasit nga popujt e tjerë që përbëjnë shtetin e sotëm grek dhe që i ka bashkuar me njeri-tjetrin është gjuha, të cilën me fanatizëm kanë arritur ta ruajnë deri më sot, gjuha shqipe, që ata flasin brenda në rrethin familjar.

Në Greqi, në fund të shekullit XIX, gjuha shqipe flitej nga pjesa më e madhe e popullatës e deri brenda në oborrin mbretëror. Madje në flotën detare, ushtarake dhe tregtare greke flitej shqip. Jani Vllahojani në historinë e antologjistë tij, na përcjell një diskutim, ku në një seancë të Parlamentit ishin ndezur gjakrat. Një luftëtar i vjetër i 1821 (Kryengritjes greke) u drejtohej protagonistëve të episodit në gjuhën arvanitase që të pushonte sherri. Dhe sherri pushoi. Arvanitja ishte gjuha që fliste Kunduriotis, kryeministri i Greqisë, Burbulina, Boçari Suliotët dhe shumë të tjerë. Arvanitja ishte gjuha që dinte dhe kuptonte edhe Karaiskaqi, Andruçio dhe shumë luftëtarë të tjerë të Kryengritjes greke të 1821.

Gjuhës shqipe i bëhej një luftë e ashpër për ta zhdukur nga kujtesa e popullit të saj. Ajo nuk shkruhej nga masa e gjerë e popullit, nuk përbënte gjuhën e shkollimit dhe këtë gjuhë e flisnin njerëzit e pashkolluar, ishte gjuhë e jetës së përditshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez. Edhe pse u bë e pamundur të shkruhej dhe të mësohej në shkolla, transmetohej nga etërit tek bijtë brez pas brezi. Pra, gjuha shqipe ishte gjuhë popullore dhe jo gjuhë letrare e fetare. Kështu, njerëzit e diturisë dhe të letërsisë e quanin gjuhën shqipe gjuhë “barbare”.

Gjuha shqipe, duke mos u shkruar, mund të rrezikonte të humbiste gjatë shekujve, të humbiste origjinalitetin e saj dhe emocionet shpirtërore. Ky ishte dhe orientimi kryesor për asimilimin e kulturës dhe gjuhës arvanitase, por edhe ky qëllim dashakeqës nuk u arrit, sepse, populli arvanitas diti ta ruajë gjuhën në kujtesën e vet.

Mënyra se si është ruajtur gjuha shqipe është interesante pikërisht për faktin se nuk shkruhej në masën e gjerë të popullatës arvanitase, pasi nuk e lanë të tjerët që gjuha shqipe të shkruhej! Ndaj, populli arvanitas zgjodhi rrugën e të kënduarit për të ruajtur gjuhën e tij. Kështu, stërgjyshërit tanë arbër krijuan ninullat, këngët e kreshnikëve dhe vajet. Një nga mënyrat e ruajtjes së gjuhës, pra, ishte kënga. Shumë ngjarje të përditshme dhe ngjarje historike u përcollën brez pas brezi nëpërmjet këngës popullore. Këngët arvanitase u përkasin teksteve të këngëve dhe poezisë së lirikave të vjetra arvanitase, këngë për lirinë, dashurinë dhe të tipit kaçak, pra të njeriut të lirë prej një shpirti të pathyeshëm dhe të ndjenjës popullore. Një dëshmi që kemi nga P. Joti që shkroi “Historinë e Shtatë Ishujve” të vitit 1866, na vërteton se Suliotët që ishin në Korfuz, kur pastronin armët, këndonin këngët arvanitase për heronjtë e tyre. Në këngët arvanitase të Suliotëve nuk kishte asnjë fjalë greke. Dy këngë që këndoheshin nga arvanitasit suliotë, gjenden në librin me titull “Bleta Shqiptar” të autorit Thimi Mitko, botuar në vitin 1878 në Aleksandri.

Në thesarin e madh të këngëve dhe tingujve të mbushur me epizëm dhe tragjizëm, folklori mbart të gdhendur emrat e shumë heronjve dhe luftëtarëve të njohur, kapedanë të çetave kryengritëse që bënë emër dhe shkruan histori, të tillë si Marko Boçari, Foto Xhavella, Çelo Picari, Zylyftar Poda, Arvaniti Karaiskaj, Kollokotroni, Shahin Qafzezi, Gjon Leka, Rrapo Hekali, Hodo Leka, Tafil Buzi, luftëtarja arvanite Laskarina Bubulina, etj. Krahas figurave të njohura, në vargjet e këtij thesari popullor gjejmë edhe emra luftëtarësh të tjerë që fatkeqësisht nuk mësojmë më tej nga ç’na jep kënga për ta, jetën bëmat e tyre, veç emrit.

Ata humbasin diku mes historisë dhe folklorit duke ardhur tek ne si anonimë, ashtu sikurse rruga e gjatë e luftrave mbuloi njerëz që ende nuk u dihet varri. Duke parë nën këto vështrime këngën tonë folklorike të këtyre shekujve dhe mesazheve që ajo përcjell në to, veç të tjerave ndjehet shpirti i qëndresës, ndjenja e solidaritetit, sakrificës sublime për idealin, kontributin për interesat e popujve të tjerë. Bile në tiparin e fundit kënga jonë popullore është shumë e zhveshur nga pasionet e ngjyrave nacionaliste apo shtrivogëlsitë, në raport me krijimtarinë e popujve të tjerë ballkanikë. Në disa këngë popullore të popujve të tjerë të ballkanit, kaçakët shqiptarë nuk përfaqësohen mirë, atyre u vishen veti cubash, rrëmbyesish, keqbërësish.

Ka raste kur përkatësia myslimane e kaçakëve shqiptarë është theksuar më tepër, prandaj mund të themi që ky element është keqpërdorur në disa raste në folklorin e popujve të tjerë. Në anën tjetër duhet theksuar që poezia popullore shqiptare për fat të mirë nuk i merr në gojë për të keq popujt e tjerë dhe as të arratisurit e tyre si hajdutët, kleftët, komitët, etj. Folklori ynë e trajton çështjen pa kurrfarë ngarkesash të ngushta kombëtare, por përshendet çdo zgjerim të aktivitetit të kaçakëve tek të gjithë popujt e ballkanit në luftë kundër armikut të përbashkët.

Në vitin 1891, gjermani Arthur Milchhofer, në veprën e tij me titull “Attika und seine Heutigen” ndër të tjera shkruan: “Nga ç’di unë, këngët popullore greke, u janë përshtatur këngëve të vjetra arvanitase të dashurisë, lirisë dhe atyre kaçake“. Me kalimin e viteve u bë greqizimi gjuhësor, ku u flijua në këtë mënyrë edhe kënga e vjetër epiko-lirike arvanitase, e cila kaloi tek brezat e rinj në variantin grek dhe kështu u njoh duke humbur identitetin e saj të vërtetë shqiptar. (vazhdon)

Referencat:

A.P.Kola, Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve, vepër e përmendur, f.500

K.At.Papa, Aristidh Kola, Udhëheqës Shpirtëror dhe Simbol i Arvanitisë, vepër e përmendur, f. 131[1]

Fazlli Syla, Këngët Popullore, Seminar Ndërkombëtar, f.7

Arthur Milchhofer, Attika und seine Heutigen, Germany, 1891, f.285

Foto të mara nga revista Besa në vitet 1983-1993

Marrë nga faqja flasshqip.ca