Sofje/ Ja çfarë kërkon Merkel, Macron dhe May nga Ballkani Perëndimor

Gjashtë liderët e Ballkanit kanë mbërritur në samitin e Sofjes dhe nuk e kanë fshehur kënaqësinë që ky samit i kushtohet krejtësisht perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit, projekteve konkrete në rajon dhe një bashkëpunimi më të fortë me Bashkimin Evropian në disa fusha.

Të gjashtë kanë buzëqeshur teksa hynin në samitin e Sofjes. Por shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk shprehin të gjitha të njëjtin entuziazëm për anëtarësimin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Edhe pse kanë ecur krah për krahu në samitin e Sofies, tre liderët e shteteve kyçe të BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe e kanë shprehur qartë këtë ndasi. Presidenti i Francës, Macron, Kancelarja gjermane Merkel dhe Kryeministrja britanike May janë shprehur në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes.

Megjithatë kanë theksuar rëndësinë e proceseve reformuese. Samiti i liderëve evropianë e kthen për një ditë gjithë vëmendjen e institucioneve evropiane dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian te Ballkani Perëndimor.

Ja çfarë kanë thënë ata lidhur me këtë çështje:

Angela Merkel: “Kryeministri i Bullgarisë ka punuar shumë gjatë presidencës bullgare për përafrimin e rajonit të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Eshtë në interesin e Evropës që rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë siguri dhe që të zhvillohet ekonomikisht”.

Emanuel Macron: “Unë jam shprehur mbi këtë pikë. Jam në favor që Ballkani t’i bashkangjitet Evropës, por çdo zgjerim i Bashkimit Evropian duhet të shihet me shumë kujdes dhe rreptësi. Ka diskutime në vijim dhe duhet të vazhdojmë t’i zhvillojmë.

Duhet të ndihmojmë të gjithë vendet që po kryejnë reformat dhe që avancojnë drejt Bashkimit Evropian dhe kjo është një zgjedhje gjeostrategjike e imja. Por nuk jam në favor të zgjerimit para se të kemi të gjitha bindjet e duhura dhe para se të bëjmë një reformë të vërtetë që mundëson thellimin dhe funskionimin më të mirë të Bashkimit Evropian. 15 vitet e fundit kanë treguar një rrugë që e ka dobësuar Evropën, duke menduar çdo herë për zgjerimin e saj.

Dhe mendoj, se kjo nuk i shërben as vendeve kandidate, as neve vetë, duke pasur një mekanizëm që nuk ka më rregulla dhe që shkon gjithnjë drejt zgjerimit. Por jam në favor që Ballkani të ketë një dialog strategjik të përforcuar, një perspektivë dhe që ne të ndjekim nga afër reformat që bëhen dhe t’i inkurajojmë ato pa klasizëm dhe pa hiprokrizi”.

Theresa May: “Jam e kënaqur që Britania e Madhe do mirëpresë në korrik raundin e pestë vjetor të samitit të Ballkanit mbi procesin e Berlinit. Ne do të ndërtojmë takimin tonë mbi rezultatin e samitit të Sofies. Ajo që do shohim sot është se si mund të punojmë së bashku në Evropë për t’i ofruar stabilitet dhe prosperitet Ballkanit.