Vllaznia B qëndron në të Parën, thyen Orikumin pas penalltive

Vllaznia B siguron qëndrimin në Kategorinë e Parë pas finales dramatike me Orikumin, që kishte zënë vendin e dytë në Grupin B në Kategorinë e Dytë.

Ndeshja u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe pas kohës së rregullt u mbyll në shifrat 2-2.

Skuadra e drejtuar nga Ervis Kraja shihej si më favorite në këtë takim, por edhe pas kësaj fitoreje, duhet të shpresojë që ekipi i parë i Vllaznisë të qëndrojë në Kategorinë Superiore, ose në të kundërt, duhet që skuadra B të luajë një kategori më poshtë, pra në të Dytën dhe fati pastaj është me Orikumin.

Takimi i sotëm ka qenë dramatik, teksa Vllaznia B ka arritur të fitojë finalen me rezultatin 4-3 vetëm falë penalltive.

Në këtë skuadër ishin edhe disa futbollistë të ekipit të parë, si Kalaja, Vucaj dhe Gurishta. Megjithëse qëllimi i tyre ishte të ndihmonin skuadrën për të arritur fitoren, këta të fundit e kanë vështirësuar objektivin e skuadrës.

Fillimisht Gurishta ka humbur një penallti vendimtare gjatë shtesës së dytë të takimit, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2.

Megjithatë mbrojtësi shkodran nuk ka gabuar për herë të dytë gjatë ekzekutimit të penalltive, atje ku u vendos edhe fati i takimit.

Në atë moment ishte radha e futbollisti Kalaja dhe Pusi, që të shpërdoronin mundësitë e shënimit me ekzekutimin e tyre.

Në fund Vllaznia B e ka mundur Orikun në finale, por tashmë duhet të ketë sytë drejt Superiores, atje ku ekipi i parë i Vllaznisë nuk duhet që të bjerë, pasi në të kundërt fitorja do të zhvlerësohej dhe Oriku shkon në Kategorinë e Parë.