Vllaznia iku! Ruani Teatrin!

Në Shkodren teme, nji perde mortit ka mbulu çdo rrugicë të shtrueme me kalldrëm e çdo rrugë buzë të cilave, si akne, ka çil nga nji lokal bastesh e skedinash. Jo se ka vdek kush, por se ka vdek diçka! Finalizmi njëshekullor i një historiet e traditet që rrallë qytet e ka në Shqipni ka çil sot dyert  për çdo shkodran.

Nuk duhet me ju ba përshtypje n’kjoft se kur të vini, keni me pa gra të veshuna në zi. Futa e të zezës asht demonstrimi ma i kjartë i idhnimit. E idhnim ma të kjartë se ikja e Vllaznisë, nuk ka për nji qytet si ky qyteti jem.

Diçka nuk e marr vesh: A kanë me pas marre këto përgjegjësit shkodranë, kur, tuj kalu prej Dugajve të Reja për me dal ndër rrugicat e G’juhadolit të shofin të rindërtume shpinë e Loro Boriçit? A thu kanë me u përlot? Apo thu kanë me vazhdu rrugën, me besimin se Loroja flen bashkë me lavdinë e tij në vorrin e heshtjes?

Sa keq! Sa turp! Vllaznia jonë, aq e dashtun e aq e kandshme, plot kangë e poezi, plot traditë e histori, shkon në deregjenë e Veleçikut apo të Tërbunit. Skuadra, tifozët e të cilëve gjithnji kanë ba tifozllëk për Vllazninë në Superligë.

Mor si thoni, këto menaxherë që me menaxhimin e tyne kanë shkrra përtokë Vllazninë, a kanë me mujt me i pa ma në sy votusat e tyne? Si munden këto menaxherë me dal ne publik me përuru rrugë që i prishin për me i rregullu prap apo pompa uji që masi i lajnë me u djeg, i vendosin prap?! Më thoni n’kjoftë se gaboj, por këta njerëz më duken aq të paburra, sa nuk janë të denjë për Shkodren. Nuk janë të denjë për Vllazninë!

O Zot! A e dini se oponenca e dikurshme e nji pushtetit të degradum fund e majë ishte ajo Shoqni, degë e së cilës asht edhe klubi i futbollit që sot e keni degdisë ndër greminat e “tregut me çmim të lirë” të sportit jo aq të shtrenjtë shqiptar? Mor a e dini se kur provoni me ba gjoja opozitarin, bani veç paljaçon e hipokritin tuj fol gjana që as vetë nuk i besoni, mbasi veprat tregojnë të kundërten?!

Gjithsesi e shof, me nantë herë Kampjonen e Shqipnisë, keni kry punë… E keni çue për ashtu si vetëm ju dini të tjerrni ditë e natë. Tash veë nji gja ju ka mbet me shkatërru: Teatrin!

Emni i Migjenit që ky teatër mban mbi shpinë nuk pranon dallavare! Skena, që asht zemra e këtij teatri, nuk pranon budallalliqe! Disa shfaqje, me në krye “Gomarin e Babatasit” të të madhit Atë Fishta tregojnë se ky tetër, stoik qëndron në themelet e dikurshme, të forcueme me punen e gjithnji kërkuse të aktorve e drejtusve. Ju lutem, mos e leni me ju rrshit ndër rrshitëset e pisllëk – maskarallëkut që hodhi ku hodhi Vllazninë.

Sot që Vllaznia iku, le të bahena tanë bashkë për me rujt Teatrin. Binomi në të cilin rrijnë shpirtat e shkodranve asht Teatri – Sporti. Mos lejoni me na u bjerr shpirtnat, por ruani teatrin e lutuni për Vllazninë!

© Andreas Dushi | Konica.al