“VLLAZNIA, një jetë, dy ngjyra, një skuadër…”

Nga Julian DEDA

Eshtë e vërtetë që Partizani e bëri lëmsh kampionatin. I hapi portën Teutës, pastaj luajti kundër Vllaznisë sikur po luante kundër Realit dhe në fund i futi një shëtitje me Kamzën. Jam dakord, por… sepse ka gjithmonë një “por”.

Në thelb nuk ka e ka fajin as Partizani dhe askush tjetër. Po pse more, kështu luhet futboll, duke shpresuar se ndonjë skuadër të të hapë portën?

Unë nuk jam naiv të mendoj se këtu mund të ndodhë mrekullia dhe gjithçka të shkojë vaj, se nuk ndodh në asnjë vend te botës, por nuk mund të mos e shohim problemin brenda.

Për të gjithë ata që nuk e kanë idenë se kush është dhe duhet të jetë Vllaznia, mund të them se kjo skuadër nuk mund të shkonte në atë pikë, sa të kërkonte mëshirë.

Sa për mëshirë, më mirë një kategori më poshtë. Vllaznia është skuadra e parë në futbollin profesionist të këtij shteti dhe si e tillë nuk mund të pranonte mëshirën përpara futbollit të bukur dhe triumfues.

Por hienat arritën ta degradojnë. Ia dolën ta turpërojnë. Hienat e denatyralizuan Vllazninë.

Sot në Shkodër ka njerëz të mirë dhe të ndjeshëm, që si reagim nuk mund të bëjnë asgjë tjetër, veçse të qajnë, të derdhin lot nga inati, nga marazi dhe nga pamundësia për t’i rënë me grusht atij mut mali hienash që nënqesh.

Turp i madh. Por, pa merak, hienat do ta marrin shumë shpejt përgjigjen, do t’i paguajnë një për një lotët e shkodranëve. Pa merak, shumë shpejt.

Vllazni o zemër, s’di çfarë të them, di vetëm se do të jem përjetë me ty, pavarësisht nga kategoria ku do luash. Për sa kohë do ndjehem shkodran, për aq kohë sa të kem jetë, do të kem vetëm dy ngjyra dhe një skuadër, VLLAZNI”.