Xhafaj: Audiopërgjimi për vëllanë është mashtrim, Prokuroria të hetojë!

Përgjatë një deklarate mediatike, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pohoi se audiopërgjimi i publikuar nga opozita për vëllanë e tij Agron Xhafaj, është i fabrikuar dhe Prokuroria duhet të nisë hetimet.

“Lidhur me falsifikimin e procedure penale është akuza më qesharake. Këta njerëz janë qesharakë dhe pa asnjë lloj personaliteti. Nuk e di si disa njerëz janë kaq injorantë. Për shumicën që do të dijë të vërtetën është e qartë kjo akuzë qesharake.

Unë paskam falsifikuar një draft dhe kjo është si logjika e Zhvejkut. Nuk ka asnjë kontribut teknik nga unë për këtë çështje. Kjo pikë e nenit është një standard ndërkombëtar dhe nuk e kemi shpikur ne. Në këto raste im vëlla nuk do përfitonte nga ky nen. Është komplet shpifje, akuza për vëllanë tim. Prej vitit 2002 vëllai im ka jetuar në Shqipëri dhe nuk ka pasur pas këtij viti asnjë problem me ligjin dhe kjo është e verifikueshme.

Fabrikimi i një fakti të paqenë është kriminal dhe i kërkoj Prokurorisë të veprojë në këtë aferë kriminale. Audiopërgjimi është një sajesë e plotë, një mashtrim nga fillimi deri në fund. 

Si një vëlla i përgjegjshëm kam bërë gjithçka që kam pasur që im vëlla të bëhej njeri i denjë si familja jonë, si vlerat e familjes tonë. Im vëlla iu kthye normalitetit, mbaroi arsimin e lartë. E ndërtoi jetën e vet bazuar në mund. Nuk i kërkoi asnjëherë vëllait të tij politikan asnjë favor.

Sot jemi të goditur familjarisht shumë. Sot Agroni ka shkuar në Itali për një dënim që s’ka lidhje. Ne do jemi pranë familjarëve, nënës time, gruas se Agronit dhe dy fëmijëve të tij të mitur. Është momenti për të nënvizuar edhe një fakt tjetër. Për ligjin shqiptar në fuqi ndjekja penale që duhet ndjekur për vëllanë tim; rrjedhimisht në Shqipëri për asnjë shkak Agron Xhafaj s’do bënte asnjë ditë burg.

Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit të tij penal këtu në Shqipëri dhe do të priste ekzekutimin e tij këtu në Shqipëri, ai s’do ta vuante atë, pasi periudha prej 4-vitesh e mbetur për ekzekutim është e një afati 5-vjeçar. Se nxita as atëherë dhe as sot që ai ta kryente këtë akt. Ishte zgjedhja e tij dhe e vlerësoj shumë gjestin e tij. Ai s’ma dha mundësinë që të provoja Fatmir Xhafajn si ministër kur do të kërkohej zbatimi i dënimit.

A është i mundur të më tregojë mua se cilën linjë kam shkelur sot si ministër i Brendshëm? Çfarë, se kam bërë detyrën si ministër i Brendshëm? Kasta e politikës së baltës nuk di të bëjë gjë tjetër veç me ça merret me motrat, babain. Dëshiroj t’ju kthej një përgjigje miqve të mi. Mos prisni që të merrem me bashkëshortet, vëllezërit e disa këtyre të pacipëve që më kanë sulmuar mua këto ditë. Do ju zhgënjej për këtë gjë. Nuk e kam bërë në asnjë ditë që jam në politikë. Siç thotë edhe familja ime, edhe pse nuk janë ata të parët që e kanë thënë; mos i bëj tjetrit atë që s’do dëshiroje të ta bënin ty”, tha Xhafaj.