Xhafaj jep sqarime për akuzat ndaj vëllait: I kërkova dorëheqjen në vitin 2002 Majkos

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përgjatë një deklarate mediatike ka dhënë sqarime për akuzat e vëllait të tij Agron Xhafaj, që sipas opozitës është dënuar me 7 vite e 2 muaj burg për trafik droge në Itali.

Ai tha se për këtë çështje i ka kërkuar dorëheqjen kryeministrit Pandeli Majko në atë kohë, por ai e ka refuzuar.

“Serioziteti më detyron që këtë shprehim ta bëj mbi fakte dhe prova. I paraqitem sot opinionit publik për sa vijon. Siç është e njohur vëllai im ka marrë një dënim në Itali. Kam bërë deklarime për këtë çështje dhe kushdo që do të vërtetojë koherencën në vite mund ta bëjë se janë publike. Po e risjell këtë çështje. Ngjarja ka ndodhur në 2002, vëllai ishte 22-vjeç, u ndalua për 1 muaj dhe u lirua, duke urdhëruar largimin nga Italia. Atëherë isha ministër i Turizmit në qeverinë “Majko”, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen, por pas bisedës me kryeministrin ai refuzoi dorëheqjen time.”