Alban Bushi: Kemi fituar 5-6 lojtarë tek ekipi Shpresa

Trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, ka analizuar në një konferencë për shtyp 3 ndeshjet miqësore të zhvilluar së fundmi, një me Bosnjën dhe dy me Bjellorusinë, e para u humb 1-2, e dyta u fituar 3-1 dhe e fundit barazim 1-1.

Bushi u shpreh i kënaqur nga ky grumbullim. Trajneri tregon se ka fituar 5-6 lojtarë cilësor, që do të jenë vendimtar në eliminatore. Bushi foli edhe për sfidën ndaj Spanjës, që e pret në shtator si dhe për rritjen e futbollit shqiptar.

“Mendoj që na bëri mirë grumbullimi 2 javor. Ishte i gjatë, dhe lojtarët nuk ishin në 100 përqind. Por përfituam shumë. Ngela shumë i kënaqur.

Kemi përfituar 5-6 lojtarë. Ky ishte qëllimi i grumbullimit. Të gjithë lojtarët që ishin për herë të parë e kaluan testin, siç janë Selhai, Spahiu, Kola, Shabani, Shefiti etj.

Do të jenë e ardhmja e Shqipërisë dhe do të luajnë një rol kryesor në eliminatorët. Klubet ku luajnë janë klube shumë të mirë dhe kanë luajtur. Kjo është më e rëndësishme për ne” – theksoi Bushi.

Përballja me Spanjën – “Të jem i sinqertë, nuk u përgatitëm për Spanjën. Kemi një filozofi loje. Me Spanjën do ta kemi pak të vështirë dhe do mundohemi të luajmë ndryshe me Spanjën.

Ata e kanë siguruar kualifikimin. Do mundohemi të marrim lojtarët më të mirë. Do shikojmë çfarë do të marrë Panucci. Ata që nuk do t’i grumbullojë, do të vijnë te Shpresat. Nuk është i rëndësishëm rezultati.”

Sulmi – “Kemi pasur probleme. Kanë qenë të dëmtuar gjatë gjithë sezonit. Dyrmishajn kishim sulmuesin kryesor, që nuk ka luajtur. Pastaj morëm Manajn.

Jam i kënaqur që shënon portieri. Kur shënon në minutën e fundit, të gëzon në momentin e fundit. Portierit i rritet morali.”

Transferimi i Çinarit – “Me thënë të drejtën kampionati shqiptar është rritur shumë këtë vit. Ka punuar vitet e mëparshme që është rritur. Duke pasur parasysh Gurin, Abazajn dhe tani Çinarin.”

Kombëtarja – “Ekipi kombëtar ka bërë mirë në disa ndeshje, në disa të tjera jo. Shpresoj të bëj akoma më mirë në vijim.”