Apeli i UEFA-s nuk ul dënimin, Jashanica 2 vjet pezullim për doping

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Pavarësisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Skënderbeu bën me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.

Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanicës.

Për këtë arsye, Skënderbeu në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmërisë së karrierës të lojtarit.