Bach dhe Mozart: Mishërime të kohës së tyre

Pilar Montero & Arthur Colman

Marrë nga revista Humanus (2017), No. 3, ff. 93-97

Kompozitorët e mëdhenj, pavarësisht virtuozitetit individual të tyre, reflektojnë botët e tyre të veçanta. Përveçse nga trashëgimia e tyre gjenetike, ata formohen dhe ndikohen nga forca bashkëkohore. Kjo u kushtohet veprave të dy kompozitorëve, të cilët simbolizojnë muzikën e dy periudhave kulturore mjaft të ndryshme në historinë e Europës Perëndimore: Johan Sebastian Bach, me “Oratorion e Krishtlindjeve” (Christmas Oratorio), që përfaqëson stilin Barok të fazës së dytë (circa 1625-1660), të njohur ndryshe si High Baroque, dhe Voflgang Amadeus Mozart me “Requemin” (Requiem) e tij, që përfaqëson periudhën klasike.

Bach lindi në vitin 1685 dhe vdiq në vitin 1750. Mozart (1756-1791), nuk ishte lindur ende deri pas vdekjes se Bach-ut. Bach ishte 50 vjeç kur krijoi Oratorion e Krishtlindjeve. Një burrë në kulmin e aftësive dhe të influencës së tij, ai kishte ende edhe dy dekada të tjera pune të frytshme përpara.

Requiemi i Mozart-it ishte përpjekja e fundit e një 35-vjeçari në prag të vdekjes, para se ai të ndahej nga kjo botë. Edhe pse si Oratorio, ashtu dhe Requiemi, janë vepra me përmbajtje fetare, ato u shkruan nga perspektiva shumë të ndryshme. Bach e shtroi Oratorion duke adaptuar pjesë të dramave muzikore që kishte shkruar më parë dhe duke shtuar himne dhe arie te reja, ose të kompozuara më parë prej tij. Mozart, nga ana e vet, qe kontraktuar të shkruante një meshë tradicionale për të vdekurit, dhe ai mrekullisht krijoi një muzikë inovative brenda asaj strukture.

Si ndikuan qasjet e ndryshme të barokut të fazës së dytë dhe të periudhës klasike te këta dy kompozitorë dhe te kompozimet e tyre? Fryma e Barokut u depërtua me një ndjenjë komuniteti dhe kolektiviteti.

Ndërsa përpjekjet e një kompozitori pa dyshim ranë në sy, talenti i tij pritej që t’i sherbente nje stili muzikor të pranueshëm. Duke u qëndruar praktikave të barokut, çdo lëvizje e Oratorios se Krishtlindjeve është monotematike; kontrastet e mëdha shfaqen midis, dhe jo brenda lëvizjeve, ndërsa tema të veçanta rikthehen në cikle të parashikueshme në atë çka njihej si forma ritornello. Ritmet janë të përsëritshme, insistente e të vazhdueshme dhe, madje, edhe format e të kërcyerit janë kompozuar brenda kufizimeve strikte.

Bach ishte përfaqësuesi muzikor më i madh i epokës së Barokut. Ai vinte nga një familje muzikantësh, një pjesë e madhe e të cilëve kishin punësuar në kishat gjermane, në qytete të vegjël dhe në oborre princërish për tre shekuj me radhë. (Ai ishte anëtari i 15-të i familjes së tij që mori emrin Johan.) Feja ishte fokusi kryesor i familjes në jetën e familjes së tij. Një luterian i devotshëm, Bach kompozoi vetëm pak muzikë jofetare.

Meqënëse ai u punësua kryesisht nga Kisha, kërkesat liturgjike diktuan natyrën dhe qëllimin e kompozimeve të tij. Besimet fetar të Bach-ut, u forcuan, pa dyshim, nga efektet psikologjike që patën tek ai vdekjet dhe humbjet e shumta në familje, duke nisur me vdekjen e njërit prej vëllezërve të tij, kur Bach-u ishte vetëm 2 vjeç dhe, më pas me vdekjen e nënës e të babait kur ai ishte 9 dhe 10 vjeç.

Pas vdekjes së prindërve, Bach u dërgua të jetonte në një qytet tjetër, me një vëlla shumë më të madh në moshë, të cilin ai thuajse nuk e njihte fare. Është e lehtë ta përfytyrosh këtë gjeni muzikor të jashtëzakonshëm si një fëmijë jetim, i vetmuar dhe i trembur, në kërkimin të kuptimit për jetën përmes zhvillimit të artit. Edhe në moshë të rritur, humbjet e tij ndoqën njëra-tjetrën: gruaja e tij e parë dhe 12 prej 20 fëmijëve të tij vdiqën ndërsa ai ishte ende gjallë. Edhe pse vdekja ishte një realitet përherë i pranishëm dhe i dhimbshëm për Bach-un, ajo ishte njëherësh edhe porta e një jete të perjeteshme për të.

Me kompozimet e tij, Bach u përpoq të krijonte një muzikë që përfaqësonte dhe glorifikonte një univers të krijuar nga fuqia hyjnore, bukuria estetike e së cilën i përfshinte dhe i tejkalonte peripecitë e dhimbshme të ekzistencës njerëzore.
Metoda të reja të kompozimit paralajmëruan periudhën klasike të muzikës së epokës së Iluminizmit.

Sonata, e shpikur në këtë kohë dhe e perfeksionuar nga Mozart-i, u bë shprehja ideale e saj. Theksi u vu te drama dhe te kontrasti brenda çdo lëvizjeje, përmes përdorimit të shumë temave dhe ritmeve, ndryshimeve dinamike dhe diskontinuiteteve, si dhe një theksi të veçantë në zhvillimin e elementëve muzikorë. Krahas prioritetit të melodisë dhe të zërave solo, këto ndryshime u dhanë kompozitorëve mjete të reja për krijimin e efekteve dramatike e të dialogëve muzikorë.

Rëndësia që i kushtonte Iluminizmit individualizmin shoqërohej me një filozofi, e cila e vinte theksin tek egalitarizmi: e mira më e madhe për pjesën më të madhe të popullsisë (Jeremy Bentham). Muzika duhet t’i shërbente shumicës, dhe kjo kerkonte melodi, ritëm dhe struktura harmonike, që ishin të pëlqyeshme edhe për veshin e njeriut më pak të edukuar. Termi i përdorur për të përshkruar këtë muzikë të re, “klasike”, në fakt shprehte idealizimin e bukurisë proporcionale dhe të formave të kullura të qytetërimit të lashtë grek.
Në dallim nga Bach-u, Mozart-i u rrit në atmosferën e lirisë që karakterizonte këtë epokë të re të individualizmit. Salzburgu, vendlindja e tij, ishte nje qytet kozmopolitan, dhe Viena që ishte pranë vibronte nga moda e re dhe artet që po bënin përpara shumë shpejt.

Biografët thonë shumë pak lidhur me sentimentet ferate të Mozart-it. Identiteti i tij u formua në gjirin e familjes së tij të vogël—nëna, i jati dhe motra e tij më e madhe, Anna Maria, që ishte ishte, po ashtu, një gjeni në muzikë, si dhe shoqja e tij më e afërt. I jati, një muzikant i njohur, një mësues dhe një kompozitor me emër, e mbante familjen e tiuj duke organizuar shfaqje të femijëve të tij të talentuar. Mozarti dhe motra e tij u rritën duke udhëtuar nëpër Europë dhe duke vizituar oborret mbretërore, ku u shfaq gjenia e tyre.

Krahasimi mes ndikimit që kanë pasur bota e Mozart-it dhe ajo e Bach-ut në kompozimet e tyre muzikore dhe në mundësitë e tyre është domethënës. Mozart u bë një sipërmarrës muzikor i pavarur, por që varej nga padronë të sjellshëm dhe nga audienca, dhe jo nga Kisha dhe kurora. Jeta e tij ishte financiarisht e pasigurtë, tipike për shumë muzikantë profensionistë, para dhe pas tij. Ai ishte shumë më pak i varur se Bach-u prej stilit të konglomerateve religjioze, dhe më i lirë për ta shprehur pasionin e tij për dramatiken, vecanërisht për operan.

Edhe pse Mozart vdiq në një moshë shumë të re, ai kompozoi një numër të madh kryeveprash në të gjitha zhanret. Duke iu përshtatur preferencave të kohës së tij, ai ishte një melodist i madh dhe i njëanshëm ndaj zërit të njerëzve; madje edhe kompozimet e tij instrumentale vinin nëpah vijën melodike.

Requiemi i tij ka melodi të forta, dhe ariet e tij jo vetëm mbajnë peshën e tyre emocionale, por ndërthuren, gjithashtu, me korin, një teknikë kjo, të cilën ai krijoi dhe e zhvilloi për kompozime “të shenjta”, ndërkohë ai vetë ndoqi stilin e tij operistik. Mozarti, madje, iu kthye Bach-ut për inspirim, duke rënë në teknikat liturgjike të këtij të fundit. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë më të dukshme në kompozimet e tij religjioze dhe, sigurisht, në fugat e tij Meshë në C-minor dhe Requiem.

Në dallim nga liria relative Mozart-it për të shprehur vetveten, imagjinatës kreative të Bach-ut i duhej t’u përshtatej vazhdimisht kërkesave të punëdhënësve të tij (kryesisht Kishës St. Thomas, në Leipzing, ku ai punoi thuajse gjatë gjithë periudhës së rinisë së tij). Këto kompromise shoqëroheshin me një rebelim të hapur.

Oratorio e Krishtlindjeve është një shembull i përkryer që dëshmon luftën e Bach-ut për të shprehur kreativitetin e tij në kushtet e interdiktit të teologjisë, duke qenë, ashtu siç është, një bashkim copëzash të pjesëve korale dhe të arieve të kompozuara më parë, në një vepër të vetme, që u përshtatej kërkesave të sezonit së Krishtlindjeve. Gjenia e Bach-ut konsiston në aftësinë e tij për të përçuar gëzimin e lindjes, si një festë e madhe për jetën e re dhe shpresë për të gjithë njerëzimin, pavarësisht besimeve fetare ose kulturore.
Mozart, i cili përballej me sëmundjen dhe varfërinë, e pranoi kontratën për Requiemin nga Konti Walsegg-Stuppach, që donte të nderonte me të vdekjen në moshë të re të se shoqes, madje kompozitori ra dakord që konti edhe ta shpallte kompozimin e Mozart-it si veprën e vet! Mozart i shkroi kryeveprat e tij të fundit operistike, “Flauti Magjik” (The Magic Flute) dhe La Clemenza di Tito, në të njëjtën kohë që shkroi dhe Requiemin. Edhe pse në shtrat, i sëmurë për vdekje, ai ia diktonte notat nxënësit të tij, Franz Xaver Süssmayr, duke i shpjeguar me kujdes se si duheshin përfunduar pjesët e mbetura të Requiemit pas vdekjes se tij. Thuhet se Mozart vdiq duke mërmëritur tingujt e pjesës së timpanit te Lacrimosa.

Dallimet kulturore mes botës së Barokut dhe Iluminizmit klasik, mes “antikuareve” dhe “galanteve”, siç quheshin atëherë, mishërohen në madhështinë e Bach-ut dhe të Mozart-it. Bach demonstroi lehtësinë e madhe më të cilën ai kompozonte në stilin “galant” me kryeveprën e tij, botuar në Clavierübung, ndërsa Mozart krijoi muzikë kontrapuntale “antikuare” të përsosur, si në veprat e tij religjioze, ashtu dhe në ato që s’ishin të tilla. Edhe pse gjenialiteti i jashtëzakonshëm i këtyre dy kompozitorëve mban vulën e epokës në të të cilët ata jetuan, ata e tejkaluan kohën e tyre.

Përktheu nga anglishtja Elena Lula