Bashkim Dedja kalon Vetting-un, kreu i Kushtetueses rikonfirmohet në detyrë

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja ka kaluar sot testin e Vettingut dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur rikonfirmimin e tij në detyrë.

Javën e shkuar, ai u përball me KPK-në dhe sipas hetimit administrativ, Dedja kishte probleme me pasurinë.

Seanca ka nisur si ishte parashikuar ne oren 09:30 dhe kryesuesja e trupes ka deklaruar se me shumice votash ai rikonfirmohet ne detyre.

Seanca e shkuar 

Në seancën e shkuar, Dedja nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati i tij, Maks Haxhia. Sipas KPK-së, Dedja ka paqartësi dhe para të pajustifikuara në deklaratat e pasurive. Ato kanë të bëjnë me huat për blerjen e një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 146 metra katrorë.

Për këtë, Dedja ka deklaruar se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet. Gjithashtu, si burime për blerjen e apartamentit, ai ka deklaruar 35 mijë euro kursime dhe dy hua pa interes në vlerën totale prej 25 mijë eurosh të marra nga vëllai dhe kunati i tij. Mirëpo, sipas KPK-së, këto hua nuk justifikohen. Së pari, pjesa e huas prej 15 mijë euro pa interes që vëllai i tij i ka dhënë Bashkim Dedjes, sipas deklarimeve të tij, është e pajustifikueshme, pasi në të njëjtën kohë, ai ka marrë edhe një kredi prej 42 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti.

Po ashtu, edhe 10 mijë euro të marra hua nga kunati i tij, nuk justifikoheshin sipas deklaratave noteriale që ka dorëzuar Dedja, pasi në datat e lëshimit të tyre ai ka qenë jashtë vendit. Më pas, Dedja ka paraqitur një kontratë tjetër, ku pretendonte se huaja është dhënë nga babai i kunatit të tij.

Probleme janë vërejtur edhe me pronësinë e një apartamenti 98 metra katrorë në Tiranë, i cili është deklaruar në vitin 2003 në bashkëpronësi mes Dedjes dhe njërit prej vëllezërve të tij, në masën 50 me 50. Më pas, Dedja, në deklaratën për llogari të vetingut, ka deklaruar se apartamenti është i tiji 100 %.

Edhe një apartament në Durrës u bë objekt diskutimesh në seancë. Ai rezulton në pronësi të njërit prej vëllezërve të Dedjes, i cili jeton në Dibër. Por kontratat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm janë lidhur në emër të Bashkim Dedjes. Vëllai i gjyqtarit, gjatë fazës së verifikimeve, nuk ka dorëzuar dokumente që provojnë se kishte të ardhura për ta blerë apartamentin.

MBROJTJA

Sipas avokatit, të ardhurat e Dedjes në vitet ‘90-të përbëhen edhe nga ndihmat e vëllait të tij që punon në emigracion. Ai pretendon se lapsus me apartamentin 98 metra katrorë në Tiranë ishte për shkak të asaj që e quajti “marrëdhënie vëllazërore”. Kontrata e energjisë në emër të Dedjas ishte për të ndihmuar vëllain që të mos i duhej të vinte nga Dibra në Durrës për të paguar energjinë çdo muaj.

PANORAMA