BE nuk ka ende një qëndrim për Shqipërinë

Pesëmbëdhjetë ditë nga mbledhja e Këshillit të vendeve anëtare të BE-së, duke se ende nuk ka një qëndrim të formësuar dhe unifikuar në raport me përgjigjien që vendet e Bllokut do t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat presin konfirmimin e rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave.

Intervistat, prononcimet dhe çdo dalje publike e politikanëve europianë nga vende si Gjermania, Hollanda apo Franca tregojnë në vetvete se ende nuk ka një qasje unike dhe të koordinuar mes vendeve të BE-së, sidomos kur bëhet fjalë për kancelaritë e atyre vendeve ku parlamenti ka një forcë veprimi kyçe për vendimmarrje të tilla. Sikurse në rastin e Gjermanisë ku një qeveri e përbërë nga një koalicion, pavarësisht qasjes pozitive dhe të rëndësishme të kancelares Angela Merkel pro Shqipërisë, do të duhet të kalojë testin e votimit të një projekt-rezolute, pas së cilës do të përcaktohet edhe vota gjermane në Këshill për vendin tonë.

Ndaj gjatë kësaj kohe qeveria shqiptare ka bërë një punë intensive në planin diplomatik duke punuar me ministritë e jashtme gjermane, hollandeze dhe franceze për të ndarë me to arritjet e Shqipërisë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në atë të reduktimit të numrit të azilkërkuesve, në të cilën kancelaritë evropiane vlerësojnë përparimin e dukshëm.

E vërteta është se deri më tani, nga sa mësohet jo vetëm në rrugë zyrtare, qasja e ministrave të jashtëm dhe kryeministrave të vendeve të sipërpërmendura anëtare të BE-së dhe kryesore në politikbërjen e Unionit, është pozitive ndaj Shqipërisë. Por vlerësimi final është më shumë sesa një punë e mirë e bërë nga vendi ynë.
Njohësit e terrenit diplomatik e dinë se në mes të vendimmarrjes pro ose kundër negociatave influencojnë edhe faktorë të tjerë.

Mes Francës dhe Gjermanisë ka një seri çështjesh që po dakortësohen në raport me të ardhmen e Bashkimit Europian, dhe një ndër këto çështje për të cilat duket se ende vijon diskutimi mes tyre është edhe çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Me gjasë pikat kyçë mes dy vendeve kryesore të BE-së do të vendosen në takimin Merkel-Macron të parashikuar në 19 qershor.

Nga ana tjetër Bashkimi Europian ndodhet në një marrëdhënie delikate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diktuar dhe nga ndryshimi i tarifave doganore nga ana e administratës Trump. Lufta tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve sigurisht që vendos institucionet e Brukselit përpara provës së të treguarit përgjegjshmëri për rolin që duhet të luaj në rajonin e Ballkanit. Në të njëtën kohë, Brukseli do të duhet të marr një vendim detyrimisht të pranueshëm nga të 28 anëtarët, në mesin e të cilit ndodhen edhe ata që i njohin më shumë dhe ata që i njohin më pak arritjet e Shqipërisë.

Në të gjitha këto zhvillime dinamike në arenën ndërkombëtare, shtrohet pyetja se për çfarë po lobon Shqipëria? Cili është objektivi i qeverisë shqiptare?

Të ndiqet qasja që BE pati ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Vendimi për këto dy vendi fqinje u dha në një mbledhje të ndërmjetme të Këshillit të vendeve anëtarë të BE-së. Pra në vlerësimin e parë u la një afat kohor 8 mujor, pas të cilit vendet anëtare u shprehën pozitivisht për çeljen e negociatave. Një shans i dytë që i shërben për t’i mbushur mendjen me gjasë edhe vendeve skeptike në rradhët e Unionit. Gjithçka varet nga elementët e formulimit të opinionit të vendeve anëtare të përcjella në Këshill. Nëse ato do të jenë të shoqëruara me kushtëzime dhe nëse po, a do të jenë ato kushtëzime konkrete apo të përgjithshme…

Takimi Merkel-Macron i parashikuar në 19 qershor pritet të jetë vendimtar në formulimin e vendimit që BE do të jap për këtë çështje, por koha e negociimit shtrihet për tej. Diplomacia shqiptare do të synojë të shfrytëzojë hapsirën për influencë deri në 3 ditë para mbledhjes së Këshillit me shpresën që çdo lëvizje do të shërbejë në marrjen e vlerësimit pozitiv. Vendim që do të përkthehet në më shumë kredibilitet për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si dhe më shumë fonde që do të shkojnë në sektorët ku vendi po punon për të mbërritur standardet evropiane.