Brezi i paturp

Sipas fjalorit shqip-shqip, turp do të thotë: “ndjenjë e fortë turbullimi e hutimi, që na lind kur bëjmë diçka të pahijshme a të pandershme, kur gabojmë, kur nuk ia dalim mbanë një pune, kur na fyen ose kur na vë në lojë dikush etj.; druajtje e madhe përpara dikujt, ndjenjë që na pengon t’i dalim përpara dikujt, t’i flasim etj.; frikë se mos dalim keq ose se mos bëhemi qesharakë para të tjerëve”.

Turpi është reagimi i brendshëm shpirtëror, që shfaqet së jashtmi me mimikën, ngjyrën e  fytyrës dhe gjeste të trupit. Turpi lidhet me dështimin a zhgënjimin, i cili gjykohet e kontrollohet nga opinioni përreth nesh, por edhe nga kontrolli i ndërgjegjes. Turpi shfaqet që nga veprimet e thjeshta aksidentale, të cilat mund të na bëjnë qesharakë para të tjerëve, deri te veprime të rënda morale. Sipas Biblës, turpi si reagim moral u shfaq për herë të parë kur çifti i parë njerëzor mëkatoi dhe u ndërgjegjësua se ishte lakuriq dhe, duke ndier epsh për njëri-tjetrin dhe turp, “ata qepën gjethe fiku dhe breza për t’u mbuluar” (Zanafilla 3:7).

Duke e parë turpin në këtë prizëm, dikush ka thënë: “Mëkati është nëna, dhe turpi bijë e epshit”

Prandaj, në këtë vështrim teologjik turpi përbën një ndjenjë komplekse dhe është dhuratë e Perëndisë për njeriun dhuruar pas rënies në mëkat, si një frenë e fortë për njerëzimin, sepse, nëse nuk do të ekzistonte turpi, epshi i papërmbajtshëm do ta kthente njeriun në kafshë që nuk kanë turp, sepse kafsha nuk ka ndërgjegje. Ashtu si na thotë ava Isaku (shek VII):“Turpi shërben si një veshje e hollë e personalitetit, kryesisht në rini, veshje e cila, kur nxihet, shkatërrohet plotësisht, zhduk bukurinë morale njerëzore dhe njeriu bëhet i pamend, pothuaj si derr, duke mos pasur ligj”.

Një  tjetër atë i madh i krishterë, shën Joani i Shkallës (shek. VI), thotë: “Zoti, duke treguar edhe këtu përkujdesje të madhe për ne, e pengoi paturpësinë e grave me turpin, si një fre. Sepse, po të vraponin vetë drejt burrave, nuk do të shpëtonte asnjë trup” (“Shkalla”, biseda 15).

Prandaj edhe Shkrimi i Shenjtë i jep rëndësi të madhe ndjenjës së turpit dhe seriozitetit të moralit. Ndjenja e turpit ishte një kriter i edukimit dhe moralit, p.sh.: “Ndjenja e turpit është lavdi me hir” (Fjalët e Urta 26:11). Me të vërtetë, skuqja e lehtë e fytyrës, sidomos te të rinjtë dhe te vajzat, përbënte stolinë më të bukur dhe bukurinë e tyre më të shtrenjtë.

Po flasim për turpin në kohën e shkuar, sepse sot, në këtë brez të paturp si e shikojmë rëndomt është rrëzuar gardhi i turpit dhe rruga e prishjes është plotësisht e hapur brenda një shoqërie që e konsideron turpin njerëzor si mall konsumi ose si demode. Për njerëzit e këtij brezi, që karakterizohet nga pabesia  dhe imoraliteti në përgjithësi, nuk ekziston më druajtja morale, vetëpërmbajtja dhe brejtja e ndërgjegjes ose turpi, si masë mbrojtëse apo korrigjuese.

Fatkeqësisht, sot shikojmë një brez që nuk ka aspak turp, as skuqet, as nxihet, dhe kjo jo vetëm te të rriturit, që janë njësuar me të keqen të pamoralshmen  dhe nuk kanë vrasje ndërgjegjeje a turp, por edhe te fëmijët, që nuk e njohin të keqen. Fëmijët fatkeqsisht janë bërë të paturp, u kthejnë fjalën prindërve, flasin pa turp me gjuhën dhe për gjëra të të rriturve. Turpin nuk e shikojmë jo vetëm te djemtë e burrat, që kanë natyrë rebele dhe arrogante, por madje as te vajzat e gratë, që nga natyra janë të brishta e të ndrojtura dhe të stolisura me turpin. Shikon vajza nëpër rrugë të shajnë me fjalë banale apo të “vishen” me lakuriqësi e të ekspozohen pa turp, apo edhe të kryejnë publikisht akte pasioni. Nuk ka turp gruaja që është bërë edhe nënë, teksa rri pa teklif dhe pa turp në publik, për më tepër ndihet e kënaqur në instinktin femëror, kur tërheq vjedhurazi shikime epshore nga burrat; madje nuk ka turp as në familje, kur të gjithë së bashku, prindër e fëmijë, rrinë të shkujdesur përballë njëri-tjetrit dhe flasin e shohin gjëra të turpshme.Nuk kanë turp kur çifti trallton njëri tjetrin.Madje në këtë brez nuk ka turp që të perfomohet publikisht perversioni edhe të imponohet me ligj si i natyrshm,etj,etj, që është turp ti zësh me gojë.

Pavarësisht se disave, në snobizmin e tyre, kjo gjë u duket civilizim e zhvillim modern, pa tabu a limite si shprehet në librin e tij C.S. Leëis “Till Ëe Have Faces (Derisa të kemi fytyra)”: “A nuk mendoni se gjërat për të cilat njerëzit më së shumti kanë turp, janë gjëra që nuk mund të ndihmojnë?”apo” “Mos ndaloni ato dëshira që keni qenë shumë të turpëruar për t’i pranuar.”- Auliq Ice( lindur më 3dhjetor. 1994)

Në të vërtetë, kjo situatë është tregues i një shthurjeje serioze me pasoja të frikshme, sepse që njeriu të mos ketë më turp nga vetja dhe nga të tjerët, konsiderohet rënie e madhe e atij vetë dhe e shoqërisë që i dha edukatë të tillë. Mësuesi i madh, Joan Gojarti (shek. IV), thotë: “Nëse qëllimi i edukimit është që të kesh turp nga vetja, kur s’të vjen turp as nga të tjerët, kjo përbën mungesën më ekstreme të edukimit”.

Kështu tashmë lejohen të gjitha. Prandaj dhe të gjitha bëhen në mënyrë provokuese dhe të paturpshme në gjitha vendet, para syve tanë. Nuk ka më ndryshim midis së natyrshmes dhe jo të natyrshmes, midis së mirës dhe së keqes, midis së moralshmes dhe së pamoralshmes. Më e keqja e të gjithave është se mëkati po bëhet mburrje.Sot, shumë njerëz jo vetëm që nuk turpërohen, por madje lëvdohen. Vërtetojnë atë që tha apostull Pavli: “Dhe lavdia e të cilëve është në turpin e tyre” (Filipianëve 4:19).

Brezi ku po jetojmë, po i ngjan atyre brezave që u dënuan nga drejtësia hyjnore për degjenerimin dhe paturpësinë e tyre, për t’u bërë shembull për të tjerët. Vetë Krishti tha se në fund njerëzit do të jenë të dhunshëm,të paturp e të pacip, si në kohën e Noes, Sodomos,Gomorës dhe për atë brez na thuhet: “Dhe Zoti tha: Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish… Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet… Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që e kam krijuar” (Zanafilla 6: 3-6).

Një traditë na thotë se kur miroprurësja Salome e pyeti Krishtin se kur do të vijë fundi i botës, Zoti iu përgjigj: “Kur ju të shkatërroni veshjen e turpit”.

Prandaj mungesa e turpit është një shenjë eskatologjike, d.m.th. e fundit të botës, kur të gjithë njerëzit, pas shumë katastrofave natyrore si qortim, do të dalin përpara Zotit dhe do të gjykohen. Atë ditë, të paturpët do të turpërohen dhe do të skuqen vërtet nga turpi qortues në përjetësi, sepse: “Vetëm te Zoti kam drejtësi dhe forcë”. “Tek Ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen” Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri-tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta. Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj” (Isaia 45:24; 13:8-9).

Miron Çako

Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, pranë Kryepiskopatës KOASH, Tiranë