C. Rajt Mills- Imagjinata sociale dhe programi i tij intelektual

C. Wright Mills dhe programi i tij intelektual

Michael Burawoy

Në këto thuajse gjashtë dekada të fundit, vepra e C. Rajt Millsit, Imagjinata sociologjike, ka frymëzuar si studiuesit e rinj të sociologjisë, ashtu edhe ata që i kanë kushtuar kësaj shkence jetën e tyre.

Si një ikonë e vërtetë për rëndësinë dhe veçanësinë e kësaj disipline, kjo vepër është integruar si pjesë e qenësishme e shumë prej lëndëve hyrëse universitare e pasuniversitare thuasje në të gjitha universitetet amerikane dhe në shumë universitete të botës.

Botuar në vitin 1959, tre vite para se Mills të ndahej nga jeta, në moshën 45 vjeç, Imagjinata Sociologjike përbënte jo vetëm një shprehje programatike të asaj çka sociologjia do të duhej dhe do të mund të bëhej, por edhe kundërshtimin e parë serioz ndaj profesionalizimit të sociologjisë, të cilën Mills e karakterizoi mjaft mirë si një disiplinë që kishte mbetur në vend, e penguar si nga “teoritë universale”, ashtu dhe nga “empiricizmi abstrakt”.

Në atë kohë, teoritë universale përfaqësoheshin kryesisht nga tekstet e thata të Talkot Parsonsit, të cilat jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por dhe në shumë vende të tjera të botës, konsideroheshin si kulmi i sociologjisë teorike të viteve 1950 dhe 1960.

Mills ishte ndër të parët që pati kurajën të pohonte se, pas gjuhës së rëndë dhe shpeshherë të padepërtueshme të veprave të Parsonsit qëndronin dije të rëndomta, dhe se teoria universale e tij mbështetej në supozime të gabuara.

Ajo, argumentone Mills, buronte nga koka e Parsonsit, pa pasur asnjë lidhje të qenësishme me botën konkrete të njerëzve konkretë që jetojnë në të.

Nga ana tjetër, Mills kritikoi ashpër empiricizmin abstrakt, i cili manifestohej në prirjen teknokratike të sociologjisë së viteve 1950—kërkimet empirike të hollësishme në terren, të cilat, me pyetsorët e tyre homogjenizues, krijonin një realitet të veçantë, po aq të largët e të ndryshëm nga realiteti i jetuar sa edhe ai i teorive universale.

Sipas tij, pasioni për studime empirike krijon një aureolë shkencërizmi të rremë, jo pak tërheqëse për agjencitë e reklamave dhe ato të anketimeve.

Përfaqësuesi më i njohur i kësaj prirjeje në atë kohë ishte Pol Lazarsfeld, sociologu i njohur i Universitetit të Kolumbias, pikërisht ai që i ofroi Millsit një vend pune në atë universitet në fundin e viteve 1940 deri në fillimin e viteve 1950, kohë pas së cilës Mills do të shndërrohej në kundërshtarin e tij më të madh.

Mills argumentoi se këtyre dy prirjeve—teorive universale dhe empiricizmit abstrakt—u mungon ajo që ai e quante “imagjinatë sociologjike”, me çka ai kuptonte atë “aftësi të mendjes”, e cila u mundëson njerëzve të kuptojnë se si t’i shohin shqetësimet e tyre personale si pjesë të problemeve më të gjera të shoqërisë në të cilën jetojnë.

Sipas tij, ne jetojmë në një kohë parehatie dhe indiference të përgjithshme, që nuk arrijnë dot të përkthehen në shqetësime personale dhe në çështje publike.

Mills ofron një sërë shembujsh të “shqetësimeve” të tilla—papunësia, luftërat, divorci, jeta urbane—dhe argumenton se sociologjia mund të hedhë dritë mbi mënyrat se si këto shqetësime janë të lidhura me “forca” të tjera, që janë përtej kontrollit të individit.

Ndër klasikët e sociologjisë, Weberi tregoi se si kalvinistët ishin edhe produkt i forcave historike, edhe kontribues i tyre; Durkeimi argumentoi se si edhe veprimet më personale mund të shpjegohen me patologjitë e strukturës sociale; ndërsa Marksi argumentoi se si kapitalizmi, si një sistem ekonomik e shoqëror, duke e çuar klasën punëtore në mjerim, krijon vetë “varrmihësit” e këtij sistemi.

Trilogjia e veprave të Millsit—mbi klasën punëtore amerikane (Njerëzit e rinj me pushtet, 1948), mbi klasën e mesme (Jakat e bardha, 1951) dhe klasën sunduese (Elita e pushtetit, 1956)—është e famshme.

Në secilën prej tyre ai ka përdorur një imagjinatë sociologjike të mprehtë.

Indiferenca e klasës punëtore shpjegohej me tjetërsimin e kësaj klase ndaj udhëheqësve të sindikatave të saj, të cilët ishin më të interesuar të mbanin lidhje me korridoret e pushtetit dhe krerët e korporatave.

Klasa e mesme e ndiente veten gjithnjë e më shumë të mbërthyer brenda strukturave burokratike të korporatave, ndërsa pushteti i vërtetë i shoqërisë—i fshehur pas fasadës së demokracisë—ushtrohej nga një elitë shumë e vogël njerëzish që kontrollonin tri institucionet kryesore më të mëdha të shoqërisë: institucionet financiare, ato politike dhe ushtarake.

Të trija këto vepra, edhe pse janë shkruar me një gjuhë të kuptueshme për lexuesin e gjerë, përmbajnë analiza të rëndësishme shkencore; ato evidentojnë forcat kryesore përgjegjëse të së keqes që kish kapluar shoqërinë amerikane në dekadën e parë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mills shtroi pyetjen se përse sociologjia e kishte humbur imagjinatën e saj karakteristike. Me këtë shqetësim, ai u bë një prej sociologëve të paktë që aplikoi ndaj vetes teoritë që zhvilloi për të tjerët.

Kështu, Imagjinata sociologjike e zgjeron fokusin e studimit në lidhje me fuqizimin e korporatave—çka dominon analizat e tij në veprën Jakat e bardha—edhe në mjediset universitare, duke kritikuar ashpër burokratizimin e kërkimeve shkencore, që vihej re kryesisht në zgjerimin e bizneseve të specializuara për sondazhin e opinionit publik.

Mills synoi të bëhej një barrierë ndaj trysnisë së burokratizimit e të komercializimit që po i shndërronte universitetet amerikane në instrumente të bizneseve të mëdha.

Edhe pse ai ishte një individ të vetmuar, që luftonte kundër korrupsionit dhe obskurantizmit të sistemit, Mills ishte një studiues i vërtetë, i përkushtuar ndaj studimit të realiteteve të ashpra të Amerikës së korporatave.

Kuptimi i tij mbi rolin e sociologut mund të gjendet në shtojcën e famshme të Imagjinatës sociologjike, në të cilën përshkruan procesin e punës së tij.

Imagjinata sociologjike nuk është vetëm një mbrojtje pasionante e sociologjisë klasike, por edhe lamtumira e autorit të saj me atë lloj sociologjie që ai e cilësonte si një disiplinë akademike në agoni.

Imagjinata sociologjike paralajmëronte kalimin e Millsit në sferën publike dhe në rolin e intelektualit publik.

Por, edhe këtu, ai e idolizoi me ngjyra romantike llojin e intelektualit të vetmuar, duke këmbëngulur në pavarësinë e tij si intelektual publik.
Dy librat e tij të fundit ishin Dëgjoni janki dhe Shkaqet e Luftës së Tretë Botërore.

 I pari është një letër e gjatë drejtuar publikut amerikan në mbrojtje të Revolucionit Kuban, të cilin ai e studioi nga afër, duke paralajmëruar rreziqet e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë.

I dyti vijojnte të njëjtin mesazh, por në një frekuencë tjetër, duke u fokusuar në katastrofën që mund të përfshinte botën e ndarë mes elitave të pushtetit në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Sovjetik.

Ajo që të bën përshtypje në veprat e Millsit është se kritikën e tij teorike mjaft të guximshme ndaj shoqërisë amerikane ai i ndërmori pa u angazhuar drejtpërsëdrejti me publikët, të cilëve u drejtohej.

Leksionet e tij Mills i mbante nga tryeza e punës, pa ndonjë dëshirë—dhe pa bërë ndonjë përpjekje—për të kontaktuar drejtpërsëdrejti me njerëzit, interesat e të cilëve shprehej se përfaqësonte.

Ai besonte se zbulimi i lidhjeve mes mjedisit të përditshëm të individit dhe strukturës sociale, pra mes proceseve mikro- dhe makro-sociale do të bënte të mundur që shqetësimet personale të njerëzve të shndërroheshin vetvetiu në çështje publike.

Në vend të protestës publike, Mills i mbyllte librat e tij me pohime programatike të përgjithshme, të cilat nuk kishin shumë lidhje me jetët e publikëve të cilëve supozohej se u drejtohej.

Në konceptin e tij mbi shoqërinë masive nuk kishte vend për lëvizjet sociale; aq më pak kishte vend përfshirja e tij në to, edhe pse, si për ironi të fatit, lëvizjet për të drejtat civile, protestat kundër luftës, lëvizja për emacipimin e grave, lëvizjet studentore dhe ato në Botës së Tretë, që pasuan vdekjen e tij, u frymëzuan pikërisht nga idetë e tij.

Ishin këto lëvizje që i dhanë goditjen më të rëndë funksionalizimit strukturor të viteve 1950.

Programi sociologjik i Millsit ka shijen e fortë të Amerikës së viteve 1950. Sot, për ta çuar shoqërinë përpara, nuk mjafton vetëm deklarimi i cilësive të imagjinatës sociologjike.

Ajo drejt së cilës duhet shkuar është një imagjinatë politike, që e sheh imagjinatën sociologjike—lidhjen mes nivelit mikro- dhe makro të proceseve shoqërore—si një kusht të nevojshëm, por jo të mjaftueshëm për artikulimin e shqetësimeve personale dhe shndërrimin e tyre në çështje publike.

Ne duhet të mendojmë se cilët janë ata mekanizma politikë që do të garantonin kontributin e sociologjisë në promovimin e vlerave të mendimit të Millsit—vlerave të arsyes dhe të lirisë.

Në pjesën më të madhe të botës, edhe pengesat ndaj imagjinatës politike kanë gjasa të gjenden po aq në dobësitë e sociologjisë autonome profesionale dhe në fuqinë paralizuese të saj.

Në vend të izolimit romantik të Millsit, sot kërkohet figura e mjeshtrit të pavarur intelektual, ndërsa sociologu duhet të bëhet pjesë e një ndarjeje të vërtetë akademike të punës, në të cilën duhen dalluar katër tipe të dijes—dija profesionale, dija kritike, dija publike dhe ajo e politikave.

Artikulimi i këtyre katër lloje dijesh ndryshon në kohë dhe në hapësirë, por ato gjenden gjithmonë në një lloj rendi hierarkik, në një ndërvarësi antagoniste, që e shpalos veten në forma të ndryshme e të larmishme dominimi.

Po kështu, sociologun publik duhet ta shohim jo me kokë në re, por të përfshirë në një sferë të ndërlikuar publike, e cila, gjithashtu, ndryshon në shtrirjen dhe në dendësinë e saj, në institucionalizimin dhe në strukturën e saj të përgjithshme.

Rikonceptualizimi realist i ndarjes akademike të punës, larg botës manikine të Millsit, është një kusht i nevojshëm dhe paraprak për të formësuar qelizat tona politike të imagjinatës sociologjike.

C. Rajt Mills ishte luftëtari frymëzues i pararojës; tashmë na duhet një ushtri për të mbrojtur fortesën.

Përktheu nga anglishtja Emiliano Llazo