Dalja e tezës dhe kopjet/ Ministria e Arsimit: Nxënësit kishin celular, masat që janë marrë për administratorët

Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Urdhrin e Ministirsë, “Për ngritjen e Komitetit të Maturës Shtetërore 2018”, me qëllim vlerësimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore të procesit të Maturës Shtetërore 2018, për provimin e detyruar të Matematikës, sesioni i parë, i zhvilluar më datë 13 Qershor 2018, mori në shqyrtim raportet e monitorimit të përfaqësuesve të autorizuar të MASR në këtë provim.

Në përfundim të shqyrtimit të këtyre raporteve, Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, konstaton se:

Nga procesi i monitorimit gjatë zhvillimit të testimit, ka rezultuar se 11 nxënës maturantë, kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular, përkatësisht në:

DAR Gjirokastër:  1 nxënës.

DAR Kukës:         6 nxënës.

DAR Tiranë:        2 nxënës.

ZA Kurbin:          2 nxënës.

Nga shqyrtimi i rasteve të mësipërme, rezultoi se 5 administratorë nuk identifikuan maturantët me celularë të cilët, u identifikuan nga monitoruesit e MASR.

Në qendrën e provimit, Filiali i Universitetit Dibër, drejtori i gjimnazit “Said Najdeni” z. Shefki Çorja, me veprimet dhe mos veprimet e tij dhe në shkelje të etikës, me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të institucionit, ka penguar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e provimit në këtë qendër.

Për sa më sipër, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në nenin Nr. 25, pika 1 shkronja d, e “Rregullore për zhvillimin e Maturës Shtetërore 2018 në Republikën e Shqipërisë”, vendosi përjashtimin dhe mosnjohjen e rezultatit për 11 nxënësit maturantë që u konstatuan me aparate celularë në mjediset e provimeve.

Ndërsa për sa i përket shkeljeve të konstatuara të drejtorit të shkollës z.Çorja, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, vendosi  t’i kërkojë Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.

Për 5 administratorët që kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore do të merren masa disiplinore deri në largim nga puna.